Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka refuzuar kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për Ragip Hajdinin, kosovarin e akuzuar si bashkëpunëtor në grabitjen e Rinasit.
Apeli ka argumentuar se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë për të lehtësuar pozitën e Hajdini dhe për këtë arsye ka lënë në fuqi vendimin e lënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për ta lënë të pandehurin në burg pa afat.
Shqiptari nga Kosova Ragip Hajdini, i njohur ndryshe si “daja” u arrestua në 26 prill tek Shkëmbi i Kavajës. Ai akuzohet se ka siguruar furgonin me të cilin u bë grabitja në Rinas. Mes grupit ishte edhe Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë.