Anëtarja e kryesisë së Partisë demokratike Grida Duma, e ftuar në Provokacija me Mustafa Nanon, ka folur për librin më të ri të saj “Koha për Politikë”, teksa shprehu bindjet e saj në lidhje me politikën shqiptare.

Politika shqiptare, sipas Dumës nuk po bën politikë, ndërsa shtoi se largimi i shqiptarëve që i përkasin shtresës së mesme, nga Shqipëria është një humbje e madhe dhe se ikja e këtij kontingjenti penalizon më tepër vetë opozitën.

Ndër të tjera Duma u shpreh se sot besimi tek partia ka rënë më shumë se asnjëherë tjetër.

“Unë kam përshtypjen që kemi në një pikë tjetër, që shoqëria po i izolon, po i përjashton. Është në momentin më të keq kredibiliteti i politikës në Shqipëri, në pikun e saj më të ulët dhe besimi te politika ka shkuar vetëm në kuotat e besimit vetëm nga anëtarësia e vet. Është një problem i madh dhe këtë e them me pa diskutim me shqetësim duke theksuar edhe kritikën, domethënë duke qënë me tepër vet kritike sesa duhet por besoj nuk na bën keq kjo”, u shpreh ajo.

Gjatë intervistës Nano i ka kujtuar Grida Dumës një shprehje që i kishte thënë më herët, teksa tregonte sesi arrinte t’i dallonte qytetarët që janë me PS dhe ata që janë me PD.

“Sikur të më kërkonin mua të përkufizoja në mënyrë pexhorative militantët e partive unë do thoja se socialistët janë të korruptuar, demokratët janë të prapambetur”, u shpreh Nano.

“Partia Demokratike ka pasur një sfidë sfilitëse për të marrë pushtetin dhe për të fituar, sepse bashkonte të gjithë pakënaqësitë e gjithë sistemit komunist, jo shtresa sociale.

Mendoni që bashkonte të varfrin e zonave rurale, bashkonte pronarin, bashkonte të persekutuarin politik, bashkonte shtresa dhe klasa sociale që nuk puqen diku me njëra-tjetrën dhe mendoni sa e vështirë është ti bësh këta bashkë kundrejt homogjenitetit të Partisë Socialiste që e trashëgoj shtresën e mesme në shoqëri.

Në këtë kuptim, bashkimi i këtyre interesave dhe nevojave kërkonte një mjeshtëri politike për tu mbajtur bashkë sepse është krejt e pamundur, diku duhet të jesh më tepër sesa meritokrat, populist, diku duhet të jesh thelbësisht meritokrat dhe të japësh drejtësi hisotrike siç janë pronarët dhe të persekutuarit politik, diku tjetër duhet të japësh mirëqënie nga bazamenti.

Të bësh bashkë këto kërkon me të vërtetë mjeshtëri politike. Dhe ky konfliktualitet shtresash, padyshim që e ka vonuar rrugën e shpeshtë dhe më shpesh që duhej të ishte Partia Demokratike në pushtet”, u shpreh ajo.