Antoine Griezmann e ka shprehur dashurinë e tij për Atletico Madridin, bashkëlojtarët e tij dhe trajnerin Diego Simeone, në një dokumentar për karrierën e tij që do të shfaqet në Netflix sot. Dokumentari “Antoine Griezmann: Kampioni i Botës” do të jetë në dispozicion të shikuesve online në Netflix.

Dokumentari tregon sesi njeriu kryesor i Atletico Madridit e përmbushi ëndrrën femijerore për t’u bërë futbollist profesionist dhe ta fitojë çmimin më të vlefshëm në futboll, Kupën e Botës më 2018 në Rusi.  “Kam ëndërruar të bëhem futbollist profesionist, kam stërvitur cdo mëngjes dhe kam jetuar me futbollin, ishte ëndrra ime”, Griezmann thotë në dokumentar.

Disa trajnerë, përfshirë bashkëlojtarë dhe gazetarë shfaqen për të diskutuar për karrierën e francezit dhe sesi ai e ka arritur kulmin përmes përpjekjeve. Ndër deklaratat e tij më interesante në këtë dokumentar është shprehja e ndjenjave për klubin e tij aktual, Atletico Madridin. “E dua Atleticon, i dua bashkëlojtarët e mi dhe e dua Cholon”, thotë ai. “Jam i lumtur që jam këtu”.

Megjithatë, nuk dihet nëse kjo skenë është xhiruar para apo pas eliminimit të rëndë të Atleticos nga Liga e Kampionëve pas humbjes 3:0 ndaj Juventusit.