Presidenti Ilir Meta u ka bërë sot thirrje qytetarëve shqiptare që në 8 dhjetor të mblidhen në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia” në një tubim në të cilin i fton të gjithë të kenë në duar flamurin kombëtar.

Meta i ka ftuar qytetarët që të tubohen për të nderuar studentët e dhjetorit, përballë një politike që i ka tradhëtuar ata. Nga Gjiri i Lalzit e postoi thirrjen?!

Postimi i plotë i Presidentit:

Të dashur qytetarë! Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”!

Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit.

Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi!

Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998.

Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre. Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor!

Shqipëria e Para!