Heqja e lejes mjedisore “C”, nuk ka asnjë impakt në mjedis.
Klodiana Marika, drejtuese e Programeve Zhvillimore Mjedisore në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se nisma e ndërmarrë nga institucioni që ajo përfaqëson nuk ndikon në mjedis.
“Aktivitetet që lidhen me tipin C, janë restorantet, furrat e bukës, lavazhet, apo ndërmarrje që merren me shitjen e produkteve të mallrave ushqimore. Në të gjitha studimet e bëra, në tryezat e përbashkëta me ekspertë të fushës së mjedisit është parë se këto lloj aktivitetesh nuk kanë impakt për mjedisin, pasi tashmë furrat e bukës janë elektrike, jo më me oxhak, siç kanë qenë më parë. Pra, impakti është ose minimal, ose i pakonsiderueshëm. Lejet A dhe B, i takojnë industrisë, shfrytëzimit të minierave, tokës..etj, që kanë impakt në mjedis dhe janë të nevojshme. Heqja e lejeve mjedisore të tipit C për të paktën 53 kategori biznesesh të vogla do të lehtësojë rreth 6 300 biznese”-, tha Marika, për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur që prej 9 tetorit të këtij viti një tur intensiv konsultash me grupet interesit për reformimin e plotë të sistemit të dhënies së lejeve mjedisore. Ndër pikat kryesore që përmban kjo paketë e re ligjore është heqja e lejes mjedisore të tipit C.
Heqja e lejeve mjedisore të tipit C për të paktën 53 kategori biznesesh të vogla do të lehtësojë rreth 6 300 biznese.
“Biznesi i vogël është detyruar që me një vendimmarrje të vitit 2014 -2015 që të pajiset me leje mjedisore të tipit C, por mbase kur ligjvënësi e ka menduar se ishte e nevojshme për një leje të tillë tashmë pas 5 vitesh është kthyer në një barrë të rëndë për biznesin tonë dhe fatkeqësisht pas një kuadri të plotë derregulimi përsa i përket raportit të biznesit me licencat e lejet që jep shteti e gjithë tipet e funksionimit të legjislacioneve përsa i përket biznesit, unë mendoj se ka ardhur koha që ta diskutojmë qartë dhe ne të reduktojmë lejen e tipit C”, tha Marika.
“Pra, ne duam të heqim të gjithë kategorinë e lejeve C pasi mendojmë që është bërë tashmë jo vetëm një sistem i pamenaxhuar që ka krijuar një raport të vështirë ndërmjet biznesit të vogël dhe komunitetit, ka krijuar një raport i cili me pa të drejtë i është kaluar mjedisit apo mbrojtjes së mjedisit”, tha Marika.