“Mbrojtja në heshtje është strategji shumë e mirë, por ku po mbeten deklarimet se do të mbrohet lufta e pastër”

Vitit 2019 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, ishte me plot angazhim për sa i përket dërgimit të ftesave për shumë zyrtarë shtetërorë dhe ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I njohur në opinion edhe si Gjykata Speciale, ky institucion u formua në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro themelimit të saj, në tentimin e dytë me 82 vota për, pesë kundër dhe një abstenim.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës kishin thënë se arrestimet e para mund të ndodhin në fillim të muajit nëntor, por që një gjë e tillë nuk ndodhi. Viti 2020 mund të sjell edhe ngritjen e aktakuzave të para.

Avokati Tomë Gashi, shpjegon se ata që e votuan Gjykatën Speciale e të cilët deklaronin se kjo do ta tregojë luftën e pastër të UÇK-së, sot po mundohen ta shpëtojnë vetveten duke u mbrojtur në heshtje.

Avokati Tomë Gashi ka thënë për “Bota Sot” se gjykata speciale është aq e dëmshme tani po shihet çdo ditë e më shumë dhe tani sponzorizuesit më të zjarrtë të asaj gjykate janë bëre kundërshtar të saj shumë të zëshëm.

ImageTom GashiFOTO GALERI
“Tash kur u vërtetua se as vetë ata nuk janë të paprekshëm dhe posaçërisht pasi që disa prej tyre siç ka thënë Gashi kanë marr ftesa për tu paraqitur në ketë gjykatë si të dyshuar. Këta janë ata që flisnin se kjo gjykate do ta pastroj luftën e UÇK-së, dhe se do të vërtetohet pastërtia e luftës se UÇK-së, edhe pse dihet që nuk ka pas kurrë e as që do të ketë ndonjëherë në histori të njerizimit luftë të pastër, ka luftë të drejtë por jo të pastër. Aty ku njerëzit vriten si mund të ketë pastërti të atyre veprimeve. Sido që të jetë këta të zëshmit apo një pjesë e tyre që ishin për gjykatën speciale nuk po e pastrojnë fare luftën e UÇK-së por po tentojnë ta pastrojnë veten” ka thënë Gashi.

Sipas tij, mbrojtja në heshtje nuk ka asgjë të keqe dhe bëhet me raste kur nuk dihet konkretisht për çfarë krime të supozuara po ftohet dikush në gjykatën speciale, mirëpo ky veprim mund t`i bëj dëm UÇK-së.

“Mbrojtja në heshtje është strategji shumë e mirë, por ku po mbeten deklarimet se do të mbrohet lufta e pastër, duke mos u mbrojtur fare, thjeshtë duke mos u përgjigjur në asnjë pyetje të prokurorisë speciale. Sa i përket atyre që janë ftuar në gjykatën speciale dihet se janë mbi 100 ish pjesëtarë të UÇK-së dhe se janë mbi 850 dëshmitarë të intervistuar deri me tani. Po ashtu, dihet se askush nuk ka imunitet nga ndjekja penale në ketë gjykatë, pa marr parasysh funksionet e tij dhe nëse dikush është qytetar i thjeshtë apo President i Kosovës, për këtë gjykatë kjo nuk ka aspak rendësi”.

Gashi ka deklaruar se, Gjykata Speciale nuk do ta përfundojë mandatin pa e marrë në pyetje edhe Hashim Thaçin në çfarëdo cilësie, sepse sipas tij, emri i presidentit Thaçi shpesh përmendet ne raportin e senatorit zviceran Dick Marty.

“Pa u marr në pyetje të gjithë që janë përmendur në ketë raport kjo gjykatë nuk do të përfundoj punën e saj”, ka nënvizuar Gashi.

Krerët e shtetit para Gjykatës Speciale

Muajin dhjetor ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në grumbullin e fundit të ftesave emri i është gjendur edhe figurës së lartë politike të vendit, kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai dha dorëheqje nga posti, pasi tha se në Dhomat e Specializuara do që të paraqitet si ish-luftëtar e qytetar, dhe jo si kryeministër.

“Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. “Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’iu dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe për stabilitetin e rajonit”, ka thënë Haradinaj, teksa do të bënte të ditur dorëheqjen.

Të gjithë komandantët e zonave operative janë intervistuar nga Gjykata Speciale por që deri më tani nuk ka pasur ngritje të aktakuzave nga prokuroria speciale e as arrestime.

Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.

Të ftuar tjerë të intervistuar nga Specialja janë edhe eprorë të lartë dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Shumë nga ta edhe pse jo zyrtarisht janë ftuar edhe në cilësinë e të dyshuarit.

Në dhjetor të 2018-s, u ftua që të paraqitej para prokurorëve të Speciales edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, i cili në janar të vitit 2019 u paraqit për t’u intervistuar.

Në Gjykatën Speciale kishte dëshmuar edhe ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna.

E nga kjo Gjykatë në shkurt të këtij viti ishte intervistuar edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi.

Pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që u ftuan nga Specialja në fillim të vitit 2019 ishin edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Llapit Nazif Mehmeti, ish-drejtori i Zonës Operative të Pashtrikut Sabahajdin Cena si dhe ish-komandanti i UÇK-së, brigada 124 e Rahovecit, Ismet Tara i njohur si “Komandant Hoxha”.

Ftesë morën edhe ish pjesëtarët e UÇK-së nëpër brigada e batalione si, Agim Kuçi, Bashkim Ndrecaj, Isuf Gashi i njohur me nofkën “Baca”, Komandanti Ramiz Qeriqi – Luani, Safet Syla, Naser Krasniqi, Ahmet Rrahmanaj, Flamur Hoti si dhe Rilind Berisha, Mendim Daka, Avdi Ibrahimi, Jetullah Krasniqi, Isni Kilaj, Fazli Behrami, Gani Krasniqi, Milaim Latifi, Shaban Syla, Naim Miftarin, Sali Mustafa – Cali, Fatmir Sopi e Sejdi Veselit, Besim Bajrami, Mehmet Sulaj, Avdi Ibrahimin, si dhe tash kapiteni i Shtabit të Përgjithshëm në FSK, Petrit Bojaxhiu.

Gjithashtu, edhe Isuf Gashi, Osman Karpuzi, Ahmet Rrahmanaj, Naser Krasniqi, Mahir Sinani, Enver Shala, si dhe Elmi Bytyqi.

Një ftesë të tillë e ka marrë edhe një ish-ushtare e UÇK-së, Raimonda Rreci, e ish komandanti i FSK-së Kadri Kastrati.

E ftesën e Gjykatës Speciale në cilësinë e të dyshuarit e kishte refuzuar Remzi Shala i njohur si “Molla e Kuqe”.

Në radhën e të ftuarave ishin edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Bislim Zyrapi, e ish-zëdhënësi i atij shtabi Jakup Krasniqi.

Ftesë nga Specialja kanë marrë edhe ish-deputetë dhe ministra dhe kryetarë komunash.

Në këtë mes kanë hyrë edhe ish deputetët e Kuvendit të Kosovës, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Fadil Beka, Nuredin Ibishi, Safete Hadergjonaj, Blerim Kuçi, Nuredin Ibishi.

Nga Specialja u ftua edhe ish komandanti i UÇK-së dhe ish kryetari i Klinës, Sokol Bashota, ai u intervistua për ditë nga prokuroria në shtator të këtij viti.

E së fundi ftesë për intervistim ka marrë edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Ftesës së Gjykatës nuk i shpëtoi as Azem Syla, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i njohur me nofkën “Daja”. Syla u ftua nga Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, në tetor.

Edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë ftesë nga prokurori i dhomave të specializuara në cilësinë e dëshmitarit.

Edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Sabit Geci, ka marrë ftesë nga Specialja, ku do të paraqitet më 30 janar, pa treguar se në çfarë cilësie është ftuar.

Ftesë nga kjo gjykatë ka marrë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Prishtinë, ish-pjesëtar i UÇK-së, Brahim Mehmetaj, i cili ka thënë se para gjykatës do të paraqitet si i dyshuar.

Thirrjet e fundit që kanë ardhur së fundmi nga Gjykata Speciale e kanë çuar në mbi 200 numrin e personave që janë paraqitur ose do të paraqiten pranë Prokurorisë Speciale për intervistim.

Ndonëse, ende nuk ka pasur aktakuza, avokatët thonë se kjo pritet të ndodhë më 2020, meqë Prokuroria është në prag të përfundimit të hetimeve.

I pari që kishte marrë ftesën për t’u paraqitur para prokurorëve të Speciales ishte komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.

Ai kishte marrë ftesë në dhjetor të vitit të kaluar, e ishte intervistuar në janar të vitit 2019.

E para prokurorëve të Speciales kishte zgjedhur të heshte, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku. Për dy ditë radhazi dëshminë e tij e kishte dhënë edhe ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, që ishte ftuar më 10 dhjetor të vitit 2018.

Të tjerët që u ftuan ishin, ish-shefi i Policisë Ushtarake, në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, ish-komandanti për Zonën e Nerodimes, Shukri Buja në cilësinë e të dyshuarit, Rrahim Hashimi, Ismet Tara i njohur si komandant Hoxha, ish-pjesëtarët e tjerë Faton Mehmetaj, e Muhamet Krasniqi.

Mirëpo Remzi Shala, i njohur si “Molla e kuqe”, u ftua nga Specialja në dhjetor të vitit 2018, në cilësinë e të dyshuarit por që kishte refuzuar t’i përgjigjet ftesës. Një ftesë të tillë e kishte refuzuar edhe ish-ushtaraku i UÇK-së, Naim Maloku, për shkak të gjendjes shëndetësore por që më vonë kishte shkuar për intervisitim.

Edhe Bashkim Gashi, fillimisht kishte refuzuar por që më vonë kishte vendosur t’i përgjigjej Speciales.

Ftesë morën edhe ish pjesëtarët e UCK-së nëpër brigada e batalione si, Agim Kuçi, Sabahudin Cena, Bashkim Ndrecaj, Isuf Gashi i njohur me nofkën “Baca”, Safet Syla, Naser Krasniqi, Ahmet Rrahmanaj, Rilind Berisha.

Me gjithë këta emra të ftuar nga Specialja, kjo me gjasë nuk është lista e plotë e të ftuarve të deritanishëm, meqë vetë Gjykata Speciale nuk njofton se kë e fton për intervistim dhe në çfarë cilësie, dhe publikimin e ftesës e bëjnë vetë të ftuarit, nëse ata dëshirojnë. Kjo do të thotë se mund të ketë të ftuar të tjerë që nuk e kanë bërë publike ftesën.

Në Raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty, që ka shërbyer si bazë e hetimeve për rastet që do të gjykohen nga Gjykata Speciale, akuza për krime të ndryshme është hedhur edhe në emra të tjerë të UÇK-së, përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Dhomat janë të përkohshme dhe me mandat e juridiksion të përcaktuar, konkretisht për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të përkufizuara në Ligjin e Kosovës, të cilat pretendohet se janë kryer midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.