Edhe një herë tregoi se ka arritur kulmin e formës sportive. Mauro Icardi nuk ndalet më. PSG është duke shijuar potencialin e sulmuesit argjentinas, i cili mbërriti në verë nga Interi. Golat e shënuar prej tij janë njëlloj prenotimi për ta blerë përfundimisht verën e ardhshme.
Maurito, me dopietën e mbrëmshme kundër Club Brugge në Ligën e Kampionëve, konfirmoi se ka gjetur habitatin e duhur te parizienët. Me dy rrjetat e së martës, ish-kapiteni zikaltër grumbulloi 5 gola në 6 ndeshje (376 minuta të luajtura).
Një mesatare finalizimi për ta pasur zili cilido sulmues në kontinent e më tej. Edhe pse mbërriti në “Parce des Princes” mes skepticizmit të përgjithshëm, Icardi ishte në gjendje ta fitonte “bastin” te PSG, duke u integruar gradualisht në mekanizmat taktikë të trajnerit Tuchel. Stoli, në fillim, pastaj disa minuta si zëvendësues dhe në fund shpërthimi nën hijen e “Kullës Eifel”.
Kaosi që përjetoi tek Interi duket një kujtim i largët. Icardi parizien po e konfirmon veten si një bomber i nivelit absolut edhe jashtë kufijve italianë, duke arritur të gdhendë një rol golashënuesi edhe në prani të yjeve të tillë si Mbappè, Neymar e Cavani. 3 gola në 3 paraqitjet e bëra në Ligën e Kampionëve, 2 gola në po aq paraqitje në Ligue 1. Galatasaray, Brugge, Angers dhe Nice janë “viktimat” e tij, por në “fletoren” e golashënuesit Maurito pa dyshim që ka vend edhe për të tjerë.