Alfred Peza/ 

Që Ilir Meta po tenton ta drejtojë shtetin shqiptar si “Sekretar i Parë” i Shqipërisë pluraliste, këtë nuk e vë më në dyshim, askush. Nga kjo e dielë, kur ai u përfshi si kurrë më parë në historinë postkomuniste të institucionit të Presidencës në debatin për projektin e ndërtimit të Unazës së Re të Tiranës, u kuptua se “drejtuesi më serioz i opozitës” shqiptare, ka dalë tashmë përfundimisht nga misioni i tij kushtetutes.

Në zyrën që duhet të ishte e “Kryetarit të Shtetit që përfaqëson unitetin e popullit”, tashmë ndodhet një politikan që ka nisur të ushtrojë çdo funksion tjetër, përveç atij të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka meritën e madhe se e ka vënë demokracinë shqiptare, përballë një prove deri më sot të panjohur, për arësye personale shumë të njohura.

Kjo vijë sjellje e Metës ka nisur të bëhet publike të paktën që nga 5 nëntori i vitit të kaluar. Në përplasjen e parë të hapur me qeverinë për çështjen e firmosjes ose jo të dekretit për ministrin e ri të Brendshëm Sandër Lleshi, zëdhënësi i kreut të shtetit duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, deklaroi se: “Presidenti ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë, ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

Në fakt, të gjithë kështu e dinim, ndaj shumëkush u habit se përse e përmendi Ilir Meta këtë gjë. Pasi në një Republikë Parlamentare si kjo jona, të drejtat dhe detyrimet e pushteteve dhe institucioneve kushtetutese, janë të mirpërcaktuara. Por, nuk do të kalonin as tre muaj nga ajo ditë dhe ja ku më në fund u zbulua, se projektin që me sa duket Presidenti ishte në gjendje ta bënte vetë, i ishte feksur sikur po kërkonte ta bënte më parë Kryeministri.

Ndaj, pas takimit të improvizuar me banorët e Unazës së Re të Tiranës që prej javësh protestojnë për hallin e tyre, Presidenti e shfrytëzoi “në emër të popullit”, për të provuar që të niste zbatimin e ëndrrës së tij. Një projekt që kishte nisur të realizohej kur nga meraku i madh për cilësinë e emrave të rinj të qeverisë, Meta tentoi të bënte njëkohësisht edhe Gjykatën Kushtetutese, edhe bashkryetarin e qeverisë. Banorët e Unazës u gëzuan sot që takuan Presidentin, por vetëm nesër e tutje do nisin të kuptojnë, se askush në atë godinë nuk e kishte kush mendjen tek halli i tyre, por vetëm tek projekti i vet.

Pas rrëzimit nga mazhoranca të dy kandidaturave të propozuara prej tij, Ilir Meta tentoi që të bënte edhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, edhe Prokurorinë, edhe Gjykatën Administrative. E bashkë me këto, nëpërmjet merakut të tij për mënyrën sesi është zhvilluar procesi i tenderimit të segmentit të Unazës, sesi janë zbatuar procedurat ligjore dhe sesi duhet imunizuar rasti nga mundësia e manipulimeve, Presidenti tentoi veç të tjerash, që të merte edhe atributet e Avokatit të Popullit, Avokatit të Shtetit, të strukturave të specializuara të antikrimit ekonomik e financiar, etj.

Të gjitha këto atribute që po tenton të marë kreu i shtetit, në një çështje që mund dhe duhet të zgjidhet vetëm juridikisht, ligjërisht dhe në mënyrë e rrugë institucionale e kushtetutese, të kujtojnë pikërisht Sekretarin e Parë të dikurshëm. I cili jepte direktivat se ku duheshin mbjellë patate dhe ku qepët. Ku duhej gërmuar për të zbuluar naftë dhe ku duheshin gjendur armiqtë e popullit. E pasi i deklaronte si të vërteta të gjitha këto, bënte gati edhe pyetjet e hetuesisë, edhe pretencën e prokurorisë e padyshim, edhe vendimin e gjykatës. Për tu mburrur më pas nëpër veprat e tij të panumërta, se “armiqtë” e panumërt të popullit, nuk i kishin zbuluar asnjëherë organet e specializuara të shtetit, por partia.

Shqiptarët prej 30 vjetësh e kanë debatuar dhe anatemuar, derisa kishin nisur që ta harronin Sekretarin e Parë të shtetit monist. Interesante është që të shohim, se si do të reagojnë tani që për herë të parë, dikush në krye të shtetit po tentot që të bëjë, edhe “Sekretarin e Parë” të shtetit pluralist!