Investimet për aksin e ri që lidh Belshin me Cërrikun pritet të nxisin zhvillimin e agroturizmit dhe përmirësojnë ekonomitë familjare. Fondi Shqiptar i Zhvillimit informon lidhur me ecurinë e punimeve për aksin rrugor Grekan-Shelg-Gjyrale. Ky aks lidh bashkinë Belsh me bashkinë Cërrik, duke nxitur aksesin e banorëve të këtyre zonave në shërbimet bazë dhe rritjen e ekonomive familjare, përmes tregtimit të produkteve bujqësore e blegtorale.

“Deri më tani kanë përfunduar punimet për gërmimet, mbushjet në trupin e rrugës dhe hedhjen e shtresës së zhavorrit në të gjithë gjatësinë e saj. Ndërhyrja vazhdon për realizimin e shtresës së çakullit dhe për ndërtimin e portaleve të tombinove. Gjithashtu punimet kanë filluar dhe në ndërtimin e mureve pritës”, njofton FSHZH. Me financim të Qeverisë Shqiptare, projekti zhvillohet në kuadër të programit “infrastruktura vendore rajonale” në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.