Kryeministri Italian Giuseppe Conte tha se Italia do t’i propozojë Bashkimit Europian të hap në muajin nëntor negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas bllokimit që bëri Franca e Macron. Gjatë një konferencë për shtyp në fund të samitit të liderëve të BE në Bruksel, Conte tha se një vendim i tillë është i gabuar sepse i hap rrugën ndikimit të vendeve të tjera që synojnë të zgjerojnë influencën e tyre.
“Mos hapja e negociatave, jo vetëm që krijon ankthe te këto dy vende por edhe hap i rrugën ndikimit të vendeve të tjera që synojnë të zgjerjojnë zonat e tyre të influences. Italia do t’i propozojë Bashkimit Europian të hap në muajin nëntor negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Conte.
Pas një samiti dy ditorë, liderët e Bashkimit Europian nuk arritën të marrin një vendim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me Francën që vuri veton, teksa kundër Shqipërisë u pozicionuan edhe Holanda me Danimarkën. Macron argumenti qëndrimin e tij se progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk mjafton dhe se më parë duhet reformim i brendshëm i BE-së.