Tyrone Mings së fundmi për mediat angleze ka treguar vështirësitë që ka kaluar përpara se të ishte ky që është sot.

Një përrallë e vërtetë. Mings ka qenë i pastrehë në të kaluarën dhe jeta e ka vënë përballë shumë vështirësive. 26-vjeçari i Aston Villa-s, skuadër e ngjitur këtë vit në Premier League, është grumbulluar për herë të parë me Anglinë për ndeshjet kundër Bullgarisë dhe Kosovës, por ajo që bën më shumë përshtypje është historia e tij.

Mings, në fakt, ka rrëfyer se ka shkuar të jetojë me mamanë dhe tre motrat e tij në një vend për të pastrehët kur ka qenë vetëm një fëmijë.

Ka jetuar atje për rreth një vit, por ai nuk hoqi dorë kurrë nga pasioni për futbollin. Ka arritur të thyejë dëshpërimin dhe të largojë mendimet e këqija me një top mes këmbëve dhe në moshën 8 vjeç është bërë pjesë e akademisë së Southampton.

Një ëndërr për një fëmijë si ai, por që është shuar shumë shpejt. Në moshën 15 vjeç, në fakt, e larguan me justifikimin se ishte i dobët fizikisht. Për rrjedhojë, mbrojtësi ka menduar ta braktisë përgjithmonë botën e futbollit, por më pas ka ndryshuar mendim.

Për shkak të vështirësive ekonomike, ai ka filluar punë në një lokal nate, por ka arritur ta jetojë përrallën e tij dhe të bëhet futbollist falë sakrificave të shumta.

Ish-mbrojtësi Russell Osman e ka ndihmuar dhe ia ka rekomanduar ekipit të Ipsëich Toën pasi e ka parë të luajë. Karriera e tij ka nisur në 2015-ën, duke prekur Premier League me Bournemouthin.

Por fati i keq është gjithmonë në pritje dhe Mings ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju pikërisht në debutimin e tij. Ndalesa e gjatë prej më shumë se një viti dukej se do t’i jepte fund karrierës së tij, por Tyrone ka reaguar përsëri. Janarin e kaluar është huazuar nga Aston Villa dhe në korrik klubi e ka blerë përfundimisht për 30 milionë euro. Tani ka ardhur grumbullimi me kombëtaren e Tre Luanëve, që është kurorëzimi i një ëndrre.