Kryeministri Edi Rama ka shkrirë Drejtorinë e Përgjithshme të “Albturizmit” e cila kishte nxjerrë në ankand ish- kabinat e vjetra tek “Syri i Kaltër”.

Mësohet se shefi i qeverisë ka marrë masa për të anuluar të gjitha vendimet që janë dhënë për këtë pasuri natyrore, e cila rezulton si një nga më atraktivet në Jug të Shqipërisë dhe është e vizituar nga shumë turistë.

“Albturizm”, prej kohësh vepronte si një ndërmarrje e pa koordinuar me Ministrinë e Turizmit duke marrë një sërë iniciativash të pa konsultuara në përputhje me programet përkatëse siç ishte “Syri i Kaltër” apo “Driloni”.

Ditën e djeshme, mediat botuan dokumentacionin ku autorizohej “dhënien me qira të pasurisë shtetërore me numër 652/1 vol. 4, faqe 15, zk. 2758, me emërtimin ‘Kabina Druri, 5 copë’, me sipërfaqe totale 470 m2, nga të cilat 220 m2 nën objekt dhe 250 m2 sipërfaqe funksionale, me vendndodhje në Syrin e Kaltër, Delvinë, në administrim të shoqërisë ‘Albturist T.O’ Sha”.

Ndërkohë, qesharake ishte shuma e vendosur si qera ku dikush kishte vendosur të bëhej pronar me 600 euro në muaj duke poseduar këtë perlë të natyrës shqiptare.