Sot, ministri Klosi ishte përsëri në Krujë, ku mori pjesë në aksionin e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me 3 ministri të tjera, për mbylljen e gropës së fundit të gëlqeres, në zonën e mbrojtur. “Jemi këtu së bashkë me forcat e rendit dhe institucionin e mbrojtjes së territorit dhe agjencinë e Zonave të Mbrojtura, për të marrë pjesë në mbylljen e gropës së fundit të gëlqeres në të gjithë zonën e Krujës, pas një operacioni të mirëkoordinuar nga institucione shtetërore dhe tani e themi me bindje se në të gjithë zonën nuk ka më asnjë gropë gëlqereje. Fakti që nuk ka sot asnjë furrë gëlqereje, nuk do të thotë që nuk do të ketë tentativa të tjera, por për këtë ne jemi të mirëangazhuar që inspektorët e mjedisit, të rendit dhe agjencisë së zonave të mbrojtura të jenë gjithmonë në terren dhe të kontrrolojnë në vazhdimësi nëse do të ketë tentativë për të krijuar gropa të reja gëlqereje”, tha ministri Klosi.
Ai theksoi nevojën për aleancë me qytetarët, për të informuar për çdo tentativë për rikrijimin e këtyre gangrenave, që në radhë të parë dëmtojnë jetën e tyre, e më pastaj edhe qyetetin. “Nga sot, ne do të kemi kontroll të rreptë të territorit, por pa qytetarët kjo punë do të jetë e vështirë të realizohet. Megjithatë, inspektorët do të mbajnë përgjegjësi penale, nëse do të ketë një gropë gëlqereje në këtë zonë. Për sa i përket atyre që na kritikojnë, atyre që protestojnë sot, jemi këtu në Zgërdhesh, në një nga 100 fshatrat, një nga zonat që vjet me vendim qeverie ne e kemi shpallur zonë të mbrojtur, ndërsa paraardhësit tanë në pushtet, pra partia demokratike e shpalli zonë industriale dhe gjithë kjo zonë sipas vendimmarrjes së së qeverisë së kaluar do të ishte bërë një kantier i madh ndërtimi. Prandaj, mendoj që vendimi jonë, për ta mbrojtur zonën, për ta shpallur zonë të mbrojtur, për të kaluar më pastaj në luftë me gjithë shpërdoruesit mjedisorë të kësaj zonë, por edhe duke kërkuar që nëpërmjet iniciativave tona si ajo e 100 fshatrave të mos lejojmë që kjo zonë të vazhdojë të dëmtohet”, tha ministri Klosi.
Duke premtuar vëmendje 24 orë në 24, ministri tha se beteja kundër ndotësve të mjedisit do të vijojë pa kompromis.