E mbani mend Vullnet Bashën? Ai është grumbulluar 3 herë me Shqipërinë dhe ka luajtur shumë pak, vetëm 14 minuta në një ndeshje ndaj Armenisë të fituar me rezultatin 2-0. Më tej, mesfushori zgjodhi të luante me Zvicrën U-21 dhe pastaj u grumbullua sërish nga Shqipëria, por qëndroi në stol për 180 minuta. Kualifikueset e botërorit shkuan keq, pasi humbën me Islandën 2-1 dhe Slloveninë 1-0.
Në një intervistë të gjatë për “Sportowe Fakty” ka folur gjërë e gjatë për shumë gjëra, që nga vëllai i tij Migjen, thirrja me kombëtaren dhe momenti që po kalon me ekipin e Wisla Krakowës. 28-vjeçari u ndal fillimisht tek ekipi që po luan dhe foli për Jakub Błaszczykowskin. Ky i fundit pas largimit nga Wolfsburgu u kthye në shtëpi dhe shpëtoi klubin nga kriza financiare duke paguar vetë rrogat e futbollistëve, por dhe borxhet e skuadrës polake.
“Ai është si një vëlla i madh për ne. I ndihmon shumë lojtarët e rinj dhe është gjithmonë pozitiv, gati për të ndihmuar. Kam mësuar shumë nga Kuba dhe jam i nderuar që luaj me të. Lojtari më i mirë? Kuba është një ndër më të mirët, por kam pasur fatin të luaj dhe me Genaro Gattuson te Sioni, formava mesfushën me të. Ishte i ngjashëm me Błaszczykowskin. Ai kishte fituar kupë bote, champions dhe ishte i gatshëm të ndihmonte çdo njeri në ekip”.
I pyetur në lidhje me kombëtaren dhe vendin e origjinës, Vullneti përgjigjet se si shtëpi konsideron Kosovën. “Konsideroj si ‘shtëpi’ Kosovën, pasi prindërit e mi kanë ardhur prej andej dhe shkoj çdo vit me pushime. Kam dhe një pasaportë shqiptare”, – rrëfen ai.
28-vjeçari flet dhe për eksperiencën e shkurtër me kombëtaren tonë. “Nuk kam marrë ftesë që nga shtatori i vitit 2013 kur qëndrova në stol ndaj Islandës për kualifikueset e botërorit. Isha në formë të mirë dhe trajneri nuk më ftoi për ndeshjet e tjera. Jam pak xheloz për Migjenin, pasi ai ka luajtur në finalet e ‘Euro 2016’ dhe gjithashtu në UEFA Nations League. Në ato momente kur mendoi të tërhiqej nga kombëtarja mori ftesën nga trajneri Christian Panucci. Ky i fundit e la më shumë në stol, por sapo në krye të ekipi erdhi Ervin Bulku luajti 90 minuta në ndeshjen ndaj Andorrës. Migjeni po luan dhe po e shijon këtë pjesë me Shqipërinë, unë nuk mund të ndalem vetëm në një ndeshje me Shqipërinë, por punoj në heshtje dhe pres momentin tim.
“De Biasi ishte një trajner i mirë që më dha debutimin, por unë nuk përshtatesha me filozofinë e tij. Ai ishte një trajner tipik italian që përdorte taktika mbrojtëse në stilin e katenaços së vjetër. Unë kam punuar me trajner që duan futboll sulmues”. (Telesport)