Në mbledhjen e ditës së sotme të Komisionit parlamentar të Ekonomisë është vendosur të hiqet taksimi në rast dhurimi mes trashëgimtarësh për pronat e patundshme. Tatimi aktual është sa 15 për qind e vlerës së pronës së përfituar me dhurim. Propozimi është prezantuar nga Deputetja socialiste Evis Kushi. “Propozojmë që të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat në nivelin e 15% kalimi i pronësisë nga prindi tek fëmija dhe nga burri tek gruaja. Këtu përfshihen vetëm rastet e truallit dhe banesës dhe jo biznese” tha Kushi.

“Ky propozim vjen si pasojë e shumë konflikteve sociale që kanë dalë në pah deri më tani. Një shembull, në rast se një banesës kushton 50 milionë lekë qytetari paguan 7.5 milionë lekë tatim mbi të ardhurat. Por nga ky zë të ardhurat në buxhet janë zero” deklaroi deputetja e PS-së. Fillimisht në këtë amendament ishte vendosur një tavan prej 30 milionë lekësh për banesën apo truallin që dhurohet por që më pas u hodh poshtë nga komisioni. Ndërkohë përfaqësuesit e ministrisë së Financave pohuan se procesi i rivlerësimit që hapet gjatë viti të ardhshëm është një masë lehtësuese në këtë drejtim.