Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar ditën e sotme 4 akte normative të propozuara nga Ministria e Financave në lidhje me situatën emergjente të krijuar nga tërmeti shkatërrimtar i 26 Nëntorit. Ministrja Anila Denaj deklaron se përmes këtyre akteve do të bëhen disa ndryshime ligjore të cilat iu përgjigjen nevojave të familjeve të prekura nga tërmeti në vend.
“Situata emergjente pas tërmetit vjen me disa ndryshime ligjore që nëpërmjet Akteve Normative i miratuam sot në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Në përgjigje të shpejtë të fatkeqësisë natyrore të tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, Ministria e Financave ka mobilizuar të gjitha strukturat e saj për të adresuar në kohë rekord të gjitha problematikat e dala post tërmetit, pjesë e të cilave janë dhe 4 Aktet Normative,” shprehet Denaj.
Aktet Normative të miratuara nga Komisioni i Ekonomisë parashikojnë lehtësi dhe përfitime për të familjet e mbetura pa strehë dhe në nevojë.
Konkretisht Ministria e Financave ka kaluar Aktin Normativ për dhurimin e 17 apartamenteve familjarëve të viktimave në Bashkinë e Tiranës; Aktin Normativ për rritjen e nivelit të njohjes së shpenzimeve të zbritshme për donacionet në mjete monetare të bëra nga bizneset si për donacione në vlere monetare, ashtu edhe për donacione në formën e pasurisë së paluajtshme; Aktin Normativ për trajtimin e veçantë financiar për pensionistët që kanë humbur të afërmit, në masën 8 dhe 13-fish të pensionit social dhe Aktin Normativ për përjashtimin nga detyrimi i pagimit të TVSH-së për mallrat dhe pajisjet ushtarake, të cilat përdoren për të rindërtuar zonat e prekura nga fatkeqësitë.