Mbi 700 delegatë nga 160 autoritete kombëtare dhe rajonale dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare nga të gjithë kontinentet janë mbledhur në Tiranë, në kuadër të Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Mbrojtjes së të Dhënave dhe Privatësisë (International Conference of Data Protection and Privacy Commissioners – ICDPPC), që po zhvillon punimet nga datat 21-24 tetor.
Ky është forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit dhe koordinimit të autoriteteve botërore mbikëqyrëse të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kjo është hera e parë që organizohet në një vend si Shqipëria një konferencë e të tilla përmasave.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot punimet e këtij takimi me pjesëmarrës nga të gjitha kontinentet, nga fusha e biznesit, bota akademike dhe media.
Përpara të ftuarve, Kryeministri Edi Rama uroi mirëseardhjen në Shqipëri, ku mikpritja është vlera më e patjetërsueshme që ne kemi.
“Po ashtu ju falënderoj që jeni këtu edhe pse gjatë kohës që ishte planifikuar konferenca, e kishim parë veten që u bëmë dëm kolateral, ndërkohë që miqtë tanë po luftonin me njëri-tjetrin para disa ditësh në Bruksel”, tha Rama.
Kryeministri ndau me të pranishmit një rast që dëshmon në disa raste pritshmëritë që kanë të huajt ndaj Shqipërisë dhe asaj që gjejnë në realitet.
“Para pak kohe më erdhi një mesazh nga personi që është përgjegjës për pjesën ku kalojnë VIP-at në Aeroportin e Tiranës. Më tha se është një çështje e rëndësishme dhe duhet të flasim në celular. Do të vinte një person shumë i rëndësishëm nga një shtet anëtar i BE-së bashkë me shumë gazetarë dhe nuk pranonte të dilte nga ambienti i VIP-ave për të ardhur në Tiranë. Donte që të shoqërohej me roje që kanë armë të vërteta dhe që i gjithë shoqërimi të ketë makina të blinduara. Por, – i thashë, – shërbimi ynë është i blinduar…Dhe ai mu përgjigj se nuk donte të shikonte pistoleta, por kallashnikov. Atëherë përgjigja ime ishte: Thuaji se nuk e ofrojmë këtë shërbim të veçantë kështu që mund të kthehet nga ka ardhur. Pas 45 minutash ai vendosi të dilte nga zona VIP”, tha Rama.
Kryeministri tha se është e vërtetë që Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin, ndërsa theksoi përshtypjet e këtij të huaji mbi Shqipërinë.
“Të nesërmen në mëngjes erdhi të më takonte, por fjalia e parë që më tha ishte: ‘Zoti kryeministër, ju kërkoj sinqerisht ndjesë sepse kam udhëtuar në shumë vende dhe as edhe njëherë nuk kam përjetuar një hendek kaq të madh nga ajo që prisja dhe ajo që pashë në realitet. Imagjinoni zoti Kryeministër, mbrëmë unë kam ecur në qendër të Tiranës dhe nuk pashë asnjë grua të mbuluar’. I thashë se nuk është se ka kaq shumë gra të mbuluara në Shqipëri, ka disa që mbulohen por kaq, asgjë më tepër”, tha Rama.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Kryeministri u shpreh se “shumë prej jush që keni ardhur në Tiranë ndoshta nuk e keni menduar ndonjëherë se do të ishit në një vend të tillë, ndoshta e kishit imagjinuar shumë ndryshe Shqipërinë”.
“Mund të kishit dyshime, pikëpyetje. Ndoshta keni menduar se do t’ju merrnin peng në aeroport ose do t’u vidhnin rrugës për në Tiranë. Këshilla e vetme që mund t’ju jap është se e vetmja mënyrë se si mund të të ‘vjedhin’ në Tiranë është vetëm në faturat e hoteleve ndërkombëtare sepse ju tarifojnë siç as nuk ju ka shkuar mendja”, tha Rama.
Kryeministri vuri në dukje ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri prej vitit ’91, kur Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Europës. “Në aeroportin tonë atëherë hynin vetëm grupet marksiste-leniniste. Aty kishte një berber që u hiqte mjekrën apo u priste flokët. Pra Karl Marksi vetë nuk do të mund të hynte në Shqipëri se i kishte flokët e gjata. Duhet të kalonte nga berberi. Nga ’91 e hapëm Shqipërinë, patëm probleme por asnjëherë nuk u prek asnjë i huaj i vetëm. Kjo na vjen nga larg, nga historia që në Kanunin tonë thuhej se shtëpia e shqiptarit i përket Zotit ose të ftuarit”, tha Rama.
Po ashtu Rama, shprehu konsideratat më të larta për Giovanni Buttarelli, Mbikëqyrësi Europian i Mbrojtjes së të dhënave. “Kur e kam takuar nuk e dija që ai ishte kaq i rëndësishëm. Është vërtetë nder për mua që nga ky podium unë të mund të them pak fjalë për të. Ta përmendim atë me konsideratat më të larta e të shpreh mirënjohjen time më të thellë për gjithçka ka bërë ai vetë, apo bëni ju në një moment kaq të vështirë të qytetërimit tonë, që përballet me sulmin më kërcënues që mund të ndodh me të dhënat personale, jetën personale dhe privatësinë”, tha Rama.
Nuk e di nëse ne të gjithë do t’ia dalim në luftimin e kësaj epidemie, vijoi Kryeministri, duke shtuar se “ndërkohë nuk kemi zgjedhje tjetër veçse të luftojmë”. “Po jetojmë në një epokë ku nuk ekziston turpi, kur nuk është e turpshme që të veprosh në mënyrë të turpshme e të flasësh në mënyrë të turpshme. Lufta kundër kësaj gjëje është thelbi i gjithçkaje dhe ju jeni në pararojë të kësaj lufte”, tha ai.
Sa i takon mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë, Rama tha se “vendi është ende vulnerabël”. “E vlerësoj shumë atë që sjell ky rrjet. Ne jemi të ndërgjegjshëm për faktin se kemi ende shumë për të mësuar. Hapjen që po bëjmë drejt botës e kemi bërë me kanalet tona të bashkëpunimit dhe të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Rama.