Dy punonjës policie janë arrestuar nga Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të dyshuar si të implikuar në kontrabandë me mallra në Pikën e Kalimit Kufitar të Gorricës në Korçë.

(SHÇBA në vijim të hetimeve për procedimin penal për kalim të mallrave kontrabandë në Pikën Kufitare të Gorricës, bëri arrestimin e Inspektor V.Ç., dhe Inspektor V.D., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në P.K.K-Gorricë.

Në vijim të operacionit të datës 7 dhjetor 2019, ku u sekuestrua një sasi mallrash kontrabandë dhe u arrestuan në kushtet e flagrancës tre punonjës policie, efektivë të P.K.K. Gorricë, për veprat penale të “Falsifikimit kompjuterik” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SHÇBA vijoi hetimet dhe rezulton e provuar se kjo veprimtari e kundra-ligjshme funksiononte në formën e një mekanizmi të mirë-organizuar.

Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me doganierë, por dhe me disa persona, në keqpërdorim të atributeve që u jepte detyra në P.K.K. Gorricë, lejonin e favorizonin futjen e automjeteve me mallra kontrabandë ose mallra, të cilat nuk lejohen të futen në Shqipëri, në këmbim të përfitimeve monetare.

Duke përmbushur rolin e tyre në këtë veprimtari të kundra-ligjshme, dy punonjësit e policisë V.Ç., dhe V.D., në cilësinë e kontrollorëve, regjistronin të dhëna të rreme në sistemin TIMS duke tjetërsuar targën dhe llojin e automjetit. Kjo me qëllim favorizimin e kontrabandës në këmbim të përfitimeve të paligjshme financiare.