Kupa e Botës 2018 në Rusi ka përfunduar dje dhe tani është e mundur të vlerësohet se cilët lojtarë dhe cilat skuadra kanë qenë më mirë, ose më keq. Spanjollja “AS” ka kryer një analizë të plotë të paraqitjes fizike, qoftë sa u takon lojtarëve, por edhe kombëtareve finaliste të këtij turneu.
Ndeshja për vendin e tretë dhe të katërt i ka shërbyer Anglisë për të arritur Kroacinë si ekipi, që ka përshkuar më shumë kilometra gjatë Kupës së Botës. Lojtarët e Gareth Southgate kanë regjistruar 824 kilometra, ndërsa ato të Zlatko Dalic diçka më pak, 823 kilometra.
7.56% e 13.438 kilometrave, që janë përshkuar gjatë gjithë Botërorit të kësaj vere iu përkasin lojtarëve zëvendësues, ndërsa 92.54% atyre startues. Portierët kanë përshkuar 3.99% të këtyre kilometrave, 36.39% janë në këmbët e mbrojtësve, 40.38% të mesfushorëve dhe 19.24% të sulmuesve.
605 lojtarë, nga 736 që kishin marrë me vete të gjitha kombëtaret finaliste, ia kanë dalë të aktivizohen në këtë turne. Futbollisti më i shpejtë i “Rusia 2018” është Cristiano Ronaldo, me 33.98 km / orë, të regjistruar në ndeshjen e parë të turneut, i ndjekur nga kroati Ante Rebic, po me 33.98 km / orë, regjistruar në ndeshjen e katërt.
Lojtari që ka përshkuar më shumë distancë në këtë Botëror është kroati Ivan Perisic, me 72.543 metra. Pas tij është një kroat tjetër, Ivan rakitic, me 72.525 metra. Në info-grafikun më poshtë mund të zbuloni detaje të tjera të “skanerit” fizik të këtij Botërori.