Shërbimi për regjistrim dhe pajisje me targa e leje qarkullimi të mjeteve të llojit ciklomotor, ashtu edhe si për të gjitha llojet e tjera të mjeteve rrugore, kryhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

DPSHTRR sqaron se, “ciklomotorët janë mjete me motor, me dy ose tri rrota, që kanë këto karakteristika: motor me cilindratë jo më të madh se 50 cc, në qoftë se është motor me djegie të brendshme; aftësi lëvizëse mbi rrugë horizontale me një shpejtësi deri në 45 km/h; ndenjëse njëvendëshe që nuk lejon transportin e një njeriu tjetër, përveç drejtuesit të mjetit, (…) kur e kalojnë kufirin e përcaktuar, qoftë edhe për njërën prej karakteristikave të treguara më lart, konsiderohen si motomjete.

Shërbimi vazhdon vetëm nëse pas verifikimit rezulton se ka përputhje të dhënash mes dokumentit të origjinës me treguesit teknikë dhe këqyrjes fizike të mjetit.
Konkretisht, qytetari Daniel Sulaj ka paraqitur kërkesën për targimin e 30 ciklomotorëve të marka “SKUTER”, të importuar nga Republika e KINËS. Nga specialistët e kontrollit fizik në Drejtorinë Rajonale Vlorë është konstatuar se kishte mospërputhje midis dokumentacionit teknik të origjinës dhe faktit sa i takon numrit të vendeve.

Në dokumentacionin e origjinës është përcaktuar qartë se numri i vendeve është 1 (një), i cili është një nga kushtet që ndan klasifikimin e ciklomotorit nga motomjeti.
Kërkesa e qytetarit ka qenë që t’i regjistronte me numrin e vendeve 2 (dy), kërkesë kjo e pa pranueshme nga ana ligjore. E sqaruam qytetarin dhe mbas këmbënguljes së tij i dhamë refuzimin e shërbimit dhe rrugën që duhet të ndjekë për zgjidhjen e problemit.
Pasi Z. Sulaj, u ballafaqua me kërkesat ligjore dhe dokumentacionin e origjinës, ky i fundit ra dakord t’i regjistronte këto mjete të llojit ciklomotor, dmth me 1 (një) vend, duke u tërhequr nga kërkesa e parë.

Ky është thelbi i problemit dhe kjo është zgjidhje ligjore e pranuar nga të dyja palët. Në këtë mënyrë nuk ekziston më asnjë pengesë në institucionin tonë për këtë rast.
Pavarësisht gatishmërisë të DPSHTRR-së, për kryerjen dhe përfundimin e shërbimit, me keqardhje konstatojmë që qytetari nuk mund të regjistrojë mjetet e tjera, për shkak të të dhënave doganore që evidentohen në DAV.

Gjatë hedhjes së të dhënave në sistemin informatik na rezulton se nuk na konfirmohen të dhënat e kryerjes se formaliteteve të zhdoganimit nga Drejtoria e Doganave.
Gjatë procedurës së shërbimit për regjistrim në sportel, përveç të tjerave nëpërmjet ndërveprimit të sistemeve informatike kryhet edhe verifikimi i veprimeve të zhdoganimit të mjetit. Theksojmë se për çdo mjet janë të vlefshme kredencialet e një deklarate doganore DAV të vetme, që lëshon dega doganore. Në rastin konkret rezulton se në një deklaratë doganore janë kryer formalitet për zhdoganim për më shumë se një mjet, për pasojë vetëm njëri prej tyre mund të pajiset me targa dhe leje qarkullimi. Për pjesën tjetër të mjeteve që ka po e njëjta DAV (Dokumenti Administrativ i Vetëm) nuk mund të kryhet shërbimi për regjistrim në DPSHTRR.

Në këto kushte sistemi nuk na lejon përfundimin e veprimeve të mëtejshme pa u konfirmuar zhdoganimi i mjeteve. Kjo është jashtë kompetencave institucionale të DPSHTRR-së. Për këtë arsye qytetari është orientuar me shkresë për rrugën ligjore që duhet të ndjekë.

Ky nuk është rasti i parë që veprimet me mjetet rrugore në degët doganore sjellin shqetësime. Në këtë këndvështrim sjellim në vëmendje importimin e mjeteve rrugore për pjesë këmbimi ose për shkatërrim, por që në degët doganore janë zhdoganuar si mjete të rregullta. Për pasojë qytetarët përplasen në sportelet e Drejtorive tona Rajonale pa arritur të marrin shërbim. Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave edhe pse është njoftuar zyrtarisht nga DPSHTRR për disa mjete të importuara që kanë mospërputhje në deklaratat doganore, vazhdojnë të justifikohen me faktin që procedurat doganore kryhen mbi bazën e vet deklarimit, por pa argumentuar mosveprimin e tyre në këto raste. Shpeshherë mosmarrëveshjet mes institucioneve krijojnë shqetësime te panevojshme për qytetaret deri në mospërfundim të shërbimit që ata kërkojnë.