Nga Arjan Syka/ 

Është e pabesueshme gjuha që përdoret në Kuvend. Nuk po flas për gjuhën që përdor politika ndaj njëra tjetrës se atë jua kemi bërë hallall me kohë. Po flas për gjuhën me të cilën nxihet Shqipëria në prag të çeljes së negociatave. Ka shumë nga ata që ngurrojnë të thonë faktin që “PD po e nxin Shqipërinë sepse nuk do që reforma në drejtësi të presë koka si ajo e Gruevskit”. Kanë frikë ta thonë sepse mendojnë se duken si njerëz politikë në një kohë kur e vetmja gjë politike në këtë rast është qasja pro BE-së dhe kundër saj.

Sot në Kuvend Lulzim Basha nuk la gjë pa thënë kundër vendit. ‘Dola’ në rrugë për të parë mos gjej gjëkundi  atë që tha Basha në sallën e Kuvendit. Ajo që pashë ishin padyshim  halle të tjera plot që ky vend ka por  që nuk kanë asnjë lidhje me hallet e Lulit. Sot në Shqipëri ka plot gjëra që duhen ndrequr, por e para është pa asnjë dyshim drejtësia e cila duhet mbështetur në rrugën e saj të reformimit që të vihet më në fund në vend. Pa drejtësinë nuk mund të kemi asgjë!  Është fiks ajo të cilës Basha dhe një pjesë e mirë e opozitës i tremben.  Hallet që ka Shqipëria kërkojnë alternativë ndërsa në Kuvend dëgjojmë vetëm fjalë të zeza për një vend që këta që e nxijnë sot e kanë vjedhur, vrarë e tradhëtuar deri dje. E kanë bërë edhe duke marrë kreditë e buta që mund t’i merrte fare mirë dikush që është i pamundur e realisht i pastrehë.

Problemi  tjetër i madh i Lulzim Bashës pas frikës që ka nga drejtësia e pavarur që mund të këpusë koka të mëdha, është mosnjohja e Shqipërisë. Nuk ka parë historia e politikës një kryetar opozite që gjashtë vjet me radhë nuk del të shohë në sy hallet që kanë fshatarët, bujqit, blektorët, rrugët, bizneset, qytetet…

Mosnjohja që ai ka për Shqipërinë e bën atë të duket qesharak kur del dhe flet përpara shqiptarëve. Mospasja e një programi (si pasojë e mosnjohjes) e bën atë të duket i pashpresë përpara opinionit publik.

Krijimi i skenarëve si ai me Babalen e Vlorës dhe një gazetar pranë tij e bën atë të duket i frikësuar nga drejtësia dhe nga BE-ja. Ai e di që çelja e negociatave pason me drejtësi  të barabartë për të gjithë e kjo është frika e tij më e madhe. I madh e i vogël e ka kuptuar që skenarët e krijuar nga Basha janë krijesa të vobekta që dëmtojnë Shqipërinë në sytë e botës vetëm e vetëm që të shoëtojnë një pjesë të opozitës nga drejtësia. Dhe nuk kanë faj, sepse duhe thënë, ajo që i kanë bërë Shqipërisë duke filluar me vjedhje e duke mbyllur me vrasje, janë barrë të rënda nëse vihen përballë drejtësisë së vërtetë.

Media ka publikuar artikujt me fakte se si Basha dhe PD kanë lobuar kundër Shqipërisë. Ka sjellë vazhdimisht edhe lidhjet e Bashës me rusët  në momente kur askush nuk fliste e nuk besonte që ai mund të kishte shkuar aq larg. Në momente të caktuara mediat janë paragjykuar sikur po i shërbenin një pale politike, kur në fakt, mbi të gjitha palët është Shqipëria dhe rruga e saj drejt BE-së. Kaq! Të tjerat janë propagandë që i shërben atyre që nuk duan as drejtësinë e as BE-në. E për sa kohë kemi përballë një kryetar opozite që ka frikë nga drejtësia, është kundër BE-së dhe nuk njeh hallet e shqiptarëve e Shqipërisë, mund të konsiderohet pa frikë si një rrezik kombëtar! E vetmja gjë që e lidh Bashën me Shqipërinë është frika që ai ka nga drejtësia!