Nga Gjon Ndreja

Ka qenë një urdhër i Ministrit të Financave i fundvitit 2002, të cilin protokollistja ma solli mbi tavolinë dhe ku urdhërohesha të ngrija një grup pune dhe të përgatisja një projekt vendim për Këshillin e Ministrave në lidhje me deklarimin e pasurive të zyrtarëve. Përveçse befasisë që më shkaktoi ky urdhër, pasi pozicioni im në Ministrinë e Financave nuk kishte lidhje me këtë çështje, bëra përpjekje dhe i paraqita kundërshtimin tim ministrit lidhur me angazhimin tim në këtë proces, por ishte e kotë.

Në grupin e punës, përveç specialistëve nga drejtoria ime, u përfshinë edhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë, të cilët pas disa seancave e braktisën grupin për shkak të pikëpamjeve të kundërta që kishin me mua, kryesisht për skemën e këtij ligji.

Praktika e deriatëhershme konsistonte në deklarimin e pasurisë nga deputetët si dhe punonjësit e tatim taksave dhe të doganave dhe nuk kishte asnjë procedurë ose mekanizëm për kontrollin e vërtetësisë së këtyre deklarimeve. Nga ana tjetër kontrolli i deklarimit të pasurisë së deputetëve bëhej nga një komision parlamentar, ndërsa ai i tatimorëve nga vetë administrata fiskale. Në të vërtetë kjo ishte vetëm një e drejtë e këtyre organeve por asnjëherë nuk ishte vërtetuar ndonjë parregullsi apo fshehje e pasurive. Praktika botërore në këtë fushë ishte tejet e varfër për terrenin tonë shqiptar. Në shumë vende me demokraci të zhvilluar, të cilave shpesh gabimisht ju referohemi, ky deklarim ishte vullnetar për deputetët, ndërsa zyrtarët e lartë nuk bënin deklarim. Verifikime kryheshin kur media ose publiku mund të bënte ndonjë denoncim, por deri atëkohë kjo nuk kishte ndodhur.

Në grupin e punës që drejtoja, pas shumë analizash dhe debatesh u arrit në konkluzionin se një VKM nuk mund të ezauronte qëllimin që kishte qeveria për realizimin e këtij procesi, prandaj duhej hartuar një ligji posaçëm i cili të krijonte mekanizmat e nevojshme për të kryer verifikimin dhe kontrollin e pasurive të zyrtarëve dhe politikanëve të lartë. Pasi mora miratimin e ministrit për këtë hap, ju përveshëm punës për të hartuar një ligj të tillë. Ministri e lançoj idenë e hartimit të ligjit dhe për këtë shkak nuk vonoi interesimi i opozitës por edhe i organizmave ndërkombëtare si OSBE.

Disa përfaqësues të tyre e asistuan grupin e punës duke rekomanduar edhe literaturë e përvoja nga vendet e tjera të cilat për hir të së vërtetës nuk më “ngrohnin” dhe nuk mund të siguronin realizimin e qëllimit që ne i vumë vetes për këtë ligj. Pavarësisht këtyre, menduam të bëjmë një ligj tërësisht shqiptar i cili të siguronte transaparencën e pasurive të zyrtarëve dhe politikanëve si dhe të krijonte mekanizmat institucionale si dhe procedurat për realizimin e saj. Fillimisht përcaktuam kategoritë e zyrtarëve që kishin detyrimin për deklarim, bazuar në ekspozimin e tyre ndaj vendimarrjeve korruptive por edhe lloji i pasurisë që do të deklarohesh. U përfshinë në këtë kategori të gjithë zyrtarët e lartë si, ministra dhe deputetët dhe ata që për shkak të funksionit kishin ekspozim të lartë ndaj veprimeve korruptive. E rëndësishme është se në të gjithë këtë proces, të sigurohej besueshmëria e publikut.

Për këtë qëllim menduam të krijonim një institucion të emëruar nga Kuvendi dhe kryetarit të tij t’i jepeshin disa mbrojtje të veçanta dhe garanci për kryerjen e detyrës, ndërkohë që u kujdesëm të vendosnim kushte për integritetin e tij moral dhe profesional duke siguruar një mandat dhe imunitetin e benefitet e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Institucionit ju dha një rol aktiv duke i krijuar akses për hetime administrative në të gjithë institucionet publike, përfshi edhe bankat e nivelit të dytë. Kontrolli i deklarimit do të kryhej në dy nivele në Inspektoratin e Lartë dhe në atë të ulët pranë çdo insitucioni, bazuar në kategoritë e zyrtarëve.

Meqenëse numuri i zyrtarëve që do ti nënshtroheshin deklarimit dhe kontrollit të pasurive rezultoi relativisht i lartë dhe nuk mund të siguroheshin burime të mjaftueshme për kontrollin e tyre, përcaktuam një skemë e cila bazohej tërësisht në vlerësimin e rrezikut. Si do që ky term asokohe nuk ishte shumë familjar, ne menduam që të bëhej kontroll i plotë për çdo vit për një kategori zyrtarësh që kanë një ekspozim të lartë ndaj korrupsionit; si deputetët dhe ministrat, ndërkohë që të tjerë mund t’i nënshtroheshin kontrollit të plotë në se nga kontrolli aritmetik e logjik(që në të vërtetë ishte një vlerësim rreziku) rekomandohej një gjë e tillë.

Një përqindje tjetër zgjidhej sipas shortit por skema e ligjit kishte përcaktuar detyrimin që pavarësisht këtyre çdo zyrtar duhej ti nënshtrohej një kontrolli të plotë jo më pak se një herë në katër vjet. Për të shmangur të gjitha shtigjet për fshehjen e pasurisë ne futëm në projektligj detyrimin për të bërë deklarim edhe “personat e lidhur” duke dhënë edhe përkufizimin e këtij termi. Nga ana tjetër me qëllim që të evitonim mundësinë e fshehjes së pasurisë, e zgjeruam shumë konceptin e “personave të lidhur” duke i konsideruar të tillë jo vetëm njerëzit e afërt të zyrtarit por edhe çdo person tjetër që Inspektorati kishte dyshime të arsyeshme për lidhje të zyrtarit apo vendosjen e pasurive në emër të tjerëve.

Kur menduam se skemën e kishim “kopsitur” më së miri, përfaqësuesit OSBE-së që na vëzhgonin për çdo mbledhje të komisionit, u shfaqën skpetikë dhe na sygjeruan që institucioni i tyre ishte gati të financonte për hartimin e këtij ligji duke sjellë ekspertë nga vende të tjera. U pezmatova shumë rëndë, pasi pothuajse ishim në përfundim të projektit dhe mora një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, ku ja parashtrova idenë e tyre dhe shqetësimin tim. Ligji ishte futur në agjendën e punës së Qeverisë dhe Kuvendit për miratim dhe ata po e prisnin nga dita në ditë dorëzimin e tijë. Pasi më dëgjoj me shumë vemendje Sekretari buzëqeshi dhe më pyeti: A keni ju besim se keni bërë gjënë e duhur?

Pasi ju përgjigja pozitivisht pyetjes së tij, ai më tha të mos shqetësohesha por ta sillja menjeherë projektin në qeveri, nëpërmjet ministrit duke shtuar se ata të OSBE-së kanë hallin të marrin ndonjë projekt dhe të sjellin miqtë e tyre për ti anagazhuar. Pasi qeveria e miratoi projektin pa asnjë vërejtje e përcollëm në Kuvend ku procedurat e miratimit të tij ishin një “odise” e vërtetë me pengesa të paimagjinueshme, sa nga komisioni i ekonomisë ashtu edhe i ligjeve. Në disa seanca radhazi më është dashur të përballem me lloj lloj arsyetimesh idiote të “baballarëve të kombit”, shqetësimi i vetëm i të cilëve ishte se mund të zbuloheshin pasuritë e tyre dhe mund të rrezikohej jeta, kur njerëz të caktuar do të merrnin vesh për pasuritë e tyre.

Mendova se isha në prag të dështimit, pasi edhe çuditërisht edhe media e shkruar kishte shfaqur rezervat e veta. Duke abuzuar me përgjigjen time ndaj pyetjes së një deputeti në komisionin e ekonomisë lidhur me modelet se ku ishim bazuar për hartimin e projektit, ku unë i thashë se nuk kemi marrë asnjë model të ndonjë vendi por thjesht kemi studjuar problemet aktuale në këtë fushë dhe kemi propozuar mekanizmat dhe zgjidhjet, sidoqë kemi studjuar praktikat e shumë vendeve përfshi edhe Belizen(Një vend i vogël në Amerikën Qendrore). Kjo mjaftoi për të krijuar humor dhe për të mbushur të nesërmen faqet e gazetave. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë në fshehtësi së bashku me drejtorin e legjislacionit të Kuvendit (i cili më vonë u bë deputet i PD) hartuan një draft analog i cili nuk përmbante asnjë lloj mekanizëm kontrolli. Sapo u vura në dijeni të këtij projekti i kërcënova të dy se do t’ja u bëja të ditur qëllimin e tyre medias dhe opozitës si dhe ju bëra të qartë se ata nuk kishin të drejtën e një drafti të ri por e shumta mund të mos e miratonin dhe ta kthenin. Si duket ata nuk i rezistuan presionit tim dhe u tërhoqën nga nisma e tyre e turpshme.

Pas shumë përpjekjesh ligji u miratua dhe filloi implementimi i tij. U krijua edhe ILDKP që parashikohej në ligj dhe unë punova ngushtësisht me stafin në fillimet e tij për të bërë të njohur përmbajtjen e ligjit. Shkuam edhe në SHBA për eksperiencë ku u pritëm në dhomën e etikës të Kongresit Amerikan ndërkohë që ish kryetari i kësaj dhome, atëherë në pension z.Steven Potts, bëri vlerësimet maksimale për ligjin me të vetmen vërejtje se “ligji ka nevojë për pak shkëlqim”.

“Shkëlqimi” lidhej me bërjen publike të deklaratave të pasurisë, gjë e cila ishte kundërshtuar me forcë nga deputetët. Në se kjo nuk bëhej, ligji rrezikonte të dështonte, “publiku është aleati ynë kryesor në funksionimin e këtij ligji”, thoshte ai. U ndërruan disa kryetarë por ligji nuk po jepte efektet e pritshme dhe ndjehesha i zhgënjyer por ndonjëherë edhe fajtor dhe pse isha i bindur se kemi bërë gjënë e duhur. Dëgjoja kryetarët e institucionit që deklaronin rezultatet e punës në Kuvend, ku njëri krenohej me numrin e kontrolleve “arithmetiko- logjike”, tjetri thoshte se “në vijimësi” po zbulojmë zyrtarë të korruptuar dhe se pritet t”i bëjmë të njohura ndërsa ky i fundit për hir të së vërtetës e kishte shumëfishuar kapacitetin e zbulimeve dhe i kishte kallëzuar në prokurori shumë zyrtarë por Prokurori i Përgjithshëm që për ironi të fatit kishte qenë më parë kryetar i këtj insititucioni, i pushonte çështjet për “mungesë provash”.

Në kuadrin e projektit të USAID-it, ku unë punova më vonë, u angazhova dhe hartova edhe një manual lidhur me hetimin administrativ në procesin e deklarimit të pasurisë, manual që kryetari bëri të pamundurën të mos pranohej. Është me vend të theksohet se ky ligj ishte unik në të gjithë botën për sa i përket mekanizmave të kontrollit dhe institucionit specifik të krijuar për këtë qëllim. Pas miratimit të tij, ky ligj u adoptua në të gjitha vendet e Lindjes dhe më gjërë.

Tek dëgjoj tani së fundi rezultatet e Vettingut që sapo ka filluar dhe tek shoh prokurorë e gjyqtarë që bien njeri pas tjetrit si “gjethet e vjeshtës”, me të vetmin shkak se pasuria e tyre nuk justifikohet në krahsim me të ardhurat, nuk mund të mos ndjej një kënaqësi lidhur me faktin se ky ligj për të cilin kam dhënë një kontribut të veçantë, ka qenë një “shkop” i fortë për goditjen e korrupsionit dhe abuzimit por e keqja ishte se shkopi ishte në dorën e “Maliqit”. Ndërkohë kam ndjerë zhgënjim lidhur me mënyrën se si është qeverisur ky institucion nga parardhësit të cilët e them pa mëdyshje se veprimtaria e tyre ka qenë e korruptuar dhe gabimisht ndonjëherë kam menduar se ligji nuk ka qenë ai i duhuri.

Kuvendi i Shqipërisë por edhe mazhorancat e të gjitha ngjyrave, deri kur u projektua dhe filloi nga zbatimi reforma në drejtësi nuk kanë treguar vemendjen e duhur ndaj këtij institucioni për ta mbështetur dhe monitoruar veprimtarinë e tij. Asnjë shtesë nuk është bërë në këtë ligj vitet e fundit por ai po vepron me gjithë forcën e tij çka dëshmon se në periudhat e mëparshme ky institucion ka qenë ineficient, sa për mungesën e integritetit të drejtuesve ashtu edhe për “heshtjen” e mazhorancës. Sigurisht nuk mund të injorojmë faktin se përkundrejt një drejtësie të korruptuar thyhen të gjitha insitucionet dhe nismat sado të forta e të jenë ato.

Reforma në drejtësi sigurisht i ka dhënë sinergjinë e duhur këtij ligji dhe jam i bindur akoma që kontrolli i deklarimit të pasurisë duhet të kryhet në dy nivele si nga Inspektorati i Lartë ashtu edhe në nivel të çdo subjekti publik. Ndërkohë që ky institucion duhet të zhvishet nga kompetencat për konfliktin e interesave duke marrë vetëm funksionin metodollogjik dhe mbikqyrës dhe menxhimin e konfliktit të interesave duhet ta kryejnë vetë subjektet publike. Përgjegjësia për konfliktin e interesave është vetëm e niveleve menaxheriale të subjekteve publike dhe adresimi i këtij funksioni tek ILDKP është jo vetëm i padrejtë por edhe ineficient. Ligji për deklarimin e pasurisë është shembulli më domethënës dhe më i qartë i faktit se përgjithësisht ligjet në vendin tonë janë në nivele bashkëkohore por vullneti për zbatimin e tyre mungon.j.j