Jose Mourinho pretendon të jetë edhe më tej, në trajningun e ndonjë kombëtareje, por për momentin është i angazhuar plotësisht në futbollin e klubit, saktësisht te Manchester United. 55-vjeçari ka pranuar në të kaluarën se shpreson që një ditë të ketë mundësinë për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të kombëtares së Portugalisë.
Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë tregues se kur do të jetë i hapur ndaj një roli të tillë, vetëm deklaroi se do të largohet nga jeta e përditshme e stërvitjes së klubit kur të ndihet i lodhur. Mourinho nuk e konsideron veten një forcë të zbehur për momentin, me planet e tij të ardhshme, që nënkuptojnë një qëndrim të gjatë te Manchester United, pasi tashmë është angazhuar për një zgjatje të kontratës në “Old Trafford” deri në vitin 2020.
I pyetur nga “GQ Magazine”, nëse ai është më afër ndjenjës së lodhjes, trajneri i “Djajve të Kuq” tha: “Jo. Jo! Unë nuk jam aspak i afërt me këtë situatë. Mendoj se trajnimi i një klubi është puna ime më e mirë, sepse dua t’i luaj ndeshjet çdo javë dhe të stërvis çdo ditë. Do të thoja se jam edhe më larg të qenit i lodhur tani, sesa ka qenë pak vite më parë”.
Ndërsa u përqendrua në çështjet e klubit, tek e ardhmja e parashikueshme, Mourinho është ndër ata që presin me padurim kompeticionin ndërkombëtar të kësaj vere, Kupën e Botës në Rusi. Ai pret që elita globale të shkëlqejë në skenën ruse këtë verë, me një numër figurash ikonike të gatshme për t’i udhëhequr kombëtaret e tyre në ndjekjen e lavdisë botërore.
Mourinho tha: “Lojtarë si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë aq të mirë, sa mund t’i bëjnë ekipet e tyre më të mira se sa shihen në letër. Kështu, unë mendoj se Argjentina dhe Portugalia mund të bëjnë mirë. Brazili, për shkak të trajnerit Tite, mund të luajë mirë taktikisht dhe solid në aspektin mbrojtës, por ende e ka talentin natyral brazilian.
Brazili do të jetë një ekip për t’u parë. Nga ekipet europiane, Spanja dukej shumë e fortë në kualifikuese. Ajo ka një kombinim të lojtarëve të mirë me përvojë dhe atyre të rinj e me cilësi. Por, kurrë nuk e dini… Gjithmonë mund të ketë një surprizë në Kupën e Botës”.
Portugalia ishte kombëtarja që habiti në “Euro 2016”, teksa fitoi titullin e parë të madh ndërkombëtar. Mourinho beson se bashkatdhetarët e tij mund të jenë kaq mirë përsëri, edhe dy vite më pas: “Portugalia kishte arritur në gjysmëfinale të Botërorit 2006, pastaj fitoi Kampionatin Europian në vitin 2016, kështu që do të thotë se jemi ndër ekipet më të mira në botë.
Portugalia është vendi ku nuk mungojnë asnjëherë talentet e rinj. Në ekipin kombëtar aktualisht mendoj se kemi edhe lojtarë më të mirë sesa dy vite më parë. Pra, Portugalia mund të bëjë gjithçka. A mund të jemi kampionë të botës? Unë nuk guxoj të them këtë, por në ditët tona mund të mposhtim këdo”.