Nga Alfred Peza/

Beteja e paprecedentë virtuale për ta shpallur Edi Ramën me çdo çmim armik të Kosovës, nuk e di pse kisha bindjen e thellë që nuk synonte drejtpërdrejtë kreun e qeverisë së Shqipërisë, por në thelb ajo kërkonte kokën e Albin Kurtit.

Nëpërmjet kompleksimit dhe neutralizimit moral, Tirana zyrtare synohej që të nxirrej përkohësisht “jashtë loje”, me anë të betejës false ndaj “Minishengenit Balkanik”. Në këto kushte Albin Kurti lihej krejt i vetëm e pa mbrojtje brenda shqiptare, përballë gjithë forcave që nuk e duan atë Kryeministër, sipas vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

Provë e dukshme e kësaj skeme, është heshtja e lidershipit politik të Kosovës, gjatë javës që lamë pas. Megjithëse protagoniste e dorës së parë që në gjenezë të të gjitha zhvillimeve rreth “Minishengenin Ballkanik”, asnjëri prej tyre nuk e tha as edhe një fjalë të vetme për të vërtetën e një lufte të pisët, që po zhvillohej kundër Kryeministrit të Shqipërisë.

Heshti Presidenti Hashim Thaçi. Heshti ish Kryeministri Isa Mustafa. Heshti ish Presidenti Fatmir Sejdiu. Heshti ish ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj. Heshti ministri i Jashtë Behgjet Pacolli. I vetmi që foli ishte Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, kuptohet, veç për ti ti hedhur sa të mundej benzinë zjarrit. Foli edhe Albin Kurti, me kujdesin dhe delikatesën e dikujt që ende nuk ka marë në dorë, mandatin për të krijuar qeverinë e re.

Pasi LDK i fitoi votat me portretin rinor të Vjosa Osmanit, nxori në skenë me shkop në dorë Isa Mustafën, për të bërë lojën që qeveria e re me Lëvizjen “Vetëvendosje”, edhe pas afro 3 muajsh të mos krijohet. Presidenti Hashim Thaçi gjeti kohën që të bëjë “humor”, duke i çuar dy ftesa për takim Albin Kurtit, të cilat më përpara mbërrinin nëpër portale sesa në zyrat e partisë së tij. E pas kësaj, u kuptua se përse po luhej e gjitha kjo lojë.

Mediat i bënë menjëherë jehonë deklaratës së frikshme të Anëtarit të Nimsës në Kosovë Haxhi Hoti, i cili me “sinqeritetin e tij të qashtër”, shkroi në facebook: “John F. Kennedy Ishte interes i popullit amerikanë që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikanë që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurri ika 2 rrugë: ose ta lshoj Kosovën ose të vritet.”

Më qartë se kaq, nuk ka se si bëhet. Ajo që me sa duket, po luhej nëpër skutat më të errëta kundër interesave shqiptare në Ballkan, doli e u tha në mënyrën më të troçtë e të pafajshme të mundshme (me apo pa koshionecë), publikisht.

Dikush lart, shumë shumë lart e larg ndoshta, e paska përcaktuar se Albin Kurti nuk duhet të jetë Kryeministër i Kosovës. Sepse vajtja e tij në zyrën e të parit të qeverisë në Prishtinë, prishka jo vetëm status quo-në e këtyre 20 viteve të elitës së Kosovës, por edhe shumë e shumë fije dhe interesa të tjera të dukeshme e të padukshme në rajon.

Duket e kotë në këto rrethana që ti futesh një diskutimi teorik mbi “legjitimitetin” apo të citosh thelbin e veprës së Maks Veberit dhe Karl Shmitit. Dikush duhet ti kujtojë sot kokave të nxehta në Prishtinë, se sipas parimit të legjitimitetit demokratik, fuqia shtetërore vjen nga populli. E për rrjedhojë, në një demokraci sado e brishtë qoftë edhe si ajo sot në Kosovë, vlen vetëm rendi sundues i dalë nga populli, apo nga një Kuvend i zgjedhur prej tij dhe një qeveri që kontrollon zbatimin e fuqisë.

Ndaj të gjitha përrallat e llojit se “Albin Kurtin e dashka populli i Kosovës, po nuk e dashka interesi i shtetit të Kosovës”, janë përpjekje për grusht shteti. Janë justifikime antidemokratike për delegjitimimin e thelbit të demokracisë. Se kush është interesi i shtetit të Kosovës, e përcakton vetëm populli i Kosovës. Kur flet sovrani, të gjithë duhet të heshtin dhe ti binden vetëm vullnetit të tij. As pengesat artificiale me armiq të fabrikuar dhe as krahasimet me shembujt e John F. Kennedy-t, nuk mund ta tjetërsojnë dot vullnetin e popullit të Kosovës, të shprehur me votën e 6 tetorit.

Këto shembuj vetëm një hap i ndajnë nga “legjitimiteti” i dikurshëm i Millosheviçit, për “Kosovën si zemra e Serbisë”. Ndaj, loja e rrezikshme kundër legjitimitetit të mandatit të Albin Kurtit, duhet të marë fund sa më parë. Sa për ikjen e tij nga Kosova apo vrasjen, është e provuar tashmë se nuk është trembuar as në luftë, e jo më tani pas 20 vjetësh në liri dhe paqe. Aq më tepër që partia e tij u betua pak orë më parë në sallën e Kuvendit të Kosovës, me flamurin kuqezi, në himnin e të cilit thuhet: “Nga lufta veç ai largohet…”