Djegia e mandateve ka krijuar zëra kundër jo vetëm brenda partive politike opozitare por edhe brenda një familjeje. Ky është rasti i Agron Çelës dhe Ambra Borovës. Agron Çela është pjesë e grupit të deputetëve opozitarë nga LSI të cilët dogjën mandatin ndërkohë që Ambra Borova, vajza e këngëtarit të njohur shkodran Luan Borova, është një prej deputeteve të reja që pranuan mandatin nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër.

Por përveç LSI Çelën dhe Borovën i lidh edhe diçka tjetër. Ai është xhaxhai i bashkëshortit të Ambra Borovës. Ditën që kjo e fundit u betua në Kuvend, xhaxhai i bashkëshortit të saj protestonte jashtë ambienteve të Kuvendit kundër sistemit qeverisës i shoqëruar nga ish-kolegët e tjerë deputetë, të cilët mes të tjerash kanë kundërshtuar me forcë edhe marrjen e mandateve nga kandidatët e listave.