“Kur BE nuk arrin të përmbushë premtimet e veta, humbet besueshmërinë dhe tregon pak sens të përgjegjësisë historike ndaj Ballkanit”, ka thënë Iratxe García Perez, lidere e socialdemokratëve në Parlamentin Europian për televizionin grek “Channel ONE”
“Bisedimet e anëtarësimit kanë qenë gjithmonë një magnet për më shumë demokraci dhe përparim shoqëror, dhe një dritë shprese për qytetarët”, tha politikania spanjolle, duke iu referuar vendimit të fundit të Këshillit të BE për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. García gjithashtu foli kundër Presidentit Francez Emmanuel Macron, duke përshkruar veton e tij “të papranueshme” dhe i bëri thirrje Këshillit të BE të rishqyrtojë vendimin e tij së shpejti.
“Grupi im do të bëjë thirrje që kjo çështje të kthehet në axhendën e Këshillit Europian para pranverës, me shpresën se liderët e tjerë europianë më në fund do të bindin Macron të tregojë një vizion të vërtetë europian për Ballkanin”, tha shefja e S&D. Ajo shtoi se Macron është nën presion nga ekstremi i djathtë për shkak të mijëra shqiptarëve që kërkojnë azil në Francë.
“Zgjidhja, megjithatë, nuk është të miratojë idetë e Le Pen, por të mbështesë një politikë që zhduk shkaqet e emigracionit nga Shqipëria. Kjo do të thotë, hapja e negociatave me këtë vend”, shtoi ajo.