Stomatologët, teknikët e imazherisë dhe laboratorit, si dhe specialistët e profilit mami janë kandidatët e radhës që do të garojnë për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Rreth 700 është numri i profesionistëve të rinj të shëndetit që janë kualifikuar për të vijuar më tej garën nëpërmjet provimit të shtetit, i cili do të zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, sipas datave dhe orareve të përcaktuara për secilin prej tyre.

Në këto kushte, të gjithë kandidatët që janë pjesë e listës së detajuar bashkangjitur shkrimit, duhet të verifikojnë me kujdes datën dhe orarin e testimit se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar provimin e informatizuar të specialitetit të tyre. Sikundër e theksuam edhe më lart, rezultatet pozitive të këtij testimi janë vendimtare në sigurimin e licencës profesionale të stomatologut, teknikut të imazherisë dhe laboratorit, si dhe profilit mami.

Rregullat e zhvillimit të këtij provimi, si dhe pikët që ju duhen për të qenë kalues janë po të njëjtat që aplikohen edhe për specialitetet e tjera mjekësore. Për të mos rrezikuar hyrjen në testim, kandidati duhet të paraqitet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me një kopje dhe origjinalin e dokumentit të identifikimit, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një bankë të nivelit të dytë. Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim.

Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet të presin sezonin e radhës që do të zhvillohet në mbyllje të vitit për të rihyrë në këtë provim. Testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e kësaj qendre, në ditën e përcaktuar për specialitetin e tij, për të plotësuar testin me alternativa online.

Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, QSHA ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të QSHA-së.

“Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit, si dhe kualifikimet profesionale në atë profesion, të cilat duhet të vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për profesionet e rregulluara”, bëjnë me dije ekspertët e kësaj qendre.

Lista: Dentistë

Lista: Mami

Lista: Teknik imazherie

Lista: Teknik laboratori