Thomas Strakosha është vënë në shënjestrën e Liverpulit, që kërkon me çdo kusht të marrë një portier kalibri, pasi u “dogj” në finalen e Championsit nga gabimet e gjermanit Karius.

Nuk është thjesht një lajm merkatoje, por një interesim serioz i klubit të madh anglez, që ka bërë gati një ofertë prej 30 milionë eurosh. Lajmin e bën të ditur “Il Messaggero”. Një ofertë, që Igli Tare dhe Klaudio Lotito nuk do ta refuzonin.

Liverpuli ka provuar të marrë portierë si Alison i Romës dhe Donaruma i Milanit, por nuk ia ka dalë dhe tani e ka përqendruar vëmendjen te shqiptari i Lacios. Priten zhvillime interesante në këtë pistë, ku së pari Tare pret ofertën zyrtare nga Liverpuli.

Dhe për të mos u gjendur i papërgatitur, nëse Strakosha transferohet te Liverpuli, Tare po sheh pistat e mundshme për zëvendësuesin e portierit kuqezi. Drejtori sportiv i Lacios ka nisur kontaktet me Iker Kasiljasin, portierin legjendar të Realit, që prej tre vitesh luan në Portugali me Porton.

Madje, bëhet e ditur se spanjolli është i gatshëm të qëndrojë edhe si portier i dytë te Lacio, zëvendësues i Strakoshës, derisa ky i fundit të jetë në Romë.