Shtyrja për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është konsideruar nga shumë vende si një “zvarritje” jo vetëm për këto dy vende, por për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas” theksoi se megjithëse ishte prekur nga vendimi nuk i kishte humbur shpresat për anëtarësimin në BE-së.

“Në këtë intervistë, Zaev vlerësoi se Maqedonia e Veriut kishte bërë shumë arritje dhe se nuk do të lejonte që vendi i tij të kthehej pas”, sipas korrespondentit të MIA-s në Beograd.

“Një pjesë e udhëheqjes së lartë të kundërshtarëve tanë politikë, për fat të keq, deri më tani nuk janë distancuar nga regjimi i vjetër. Përkundrazi, ata mbrojnë atë regjim, krimin dhe korrupsionin që e sollën shtetin drejt fundit, ndërsa jeta ishte vetëm për një familje”, theksoi Zaev në intervistën për të përditshmen serbe “Danas”.

“Nuk e kam humbur shpresën dhe jam i gatshëm të drejtoj Republikën e Maqedonisë së Veriut. Drejtuesit e 27 vendeve të Bashkimit Europian e kanë shprehur qartë mbështetjen e tyre se ne kemi bërë gjithçka që ka qenë e nevojshme për të respektuar afatin e njoftuar për fillimin e negociatave”, theksoi Zaev.

“Ata kanë qënë të gjithë të të njëjtit mendim se një gabim historik është bërë duke shtyrë sërish vendimin. Ne do të vazhdojmë të punojmë për reformat në vend”, nënvizoi Zaev.

“Shpresoj të kem rastin të takohem personalisht me presidentin francez, Emanuel Macron. Mendoj se ai e di mirë se për integrimin europian nuk ka alternativë, si për vendin tim ashtu dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Zaev në intervistën për të përditshmen serbe “Danas”.

“Unë besoj se BE-ja sot është më shumë se kurrë e vetëdijshme që mbyllja e derës nuk do t’i bënte mirë askujt. Të gjithë përfitojnë nga vazhdimi i politikës së zgjerimit. Nga mbyllja eventuale e derës humbasin të gjithë”, theksoi Zaev.

Me marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, vendi ynë ka zgjidhur të gjitha çështjet dypalëshe me fqinjët e saj.

Zaev nuk pret ngecje në rrugën drejt anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Tri shtete duhet të ratifikojnë protokollin për anëtarësimin në NATO dhe për disa muaj ne do të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të aleancës”, theksoi Zaev.

Në përfundim të intervistës për “Danas”, ai nënvizoi se priste që opsioni që ai po udhëheq të fitojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut në prillin e ardhshëm.