Manchester Unitedi është paralajmëruar nga Patrice Evra se rënia e tyre nga majat e futbollit do të rezultojë në kriza të ngjashme me atë që e përjetuan Milani e Liverpooli, pasi që francezi beson se në Old Trafford ka mungesë të madhe talenti. “Djajtë e kuq” në të kaluarën e dominonin futbollit anglez dhe evropian, pasi që ish-trajneri i tyre legjendar, Sir Alex Fergusoni, arriti suksese të cilat nuk kishin ndodhur kurrë ma parë për klubet angleze, si tripleta e vitit 1999, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kohës sa trajner skocez e drejtonte skuadrën, Manchester Unitedi e fitoi 13 herë titullin e Premierligës dhe ishin rregullisht në finalen e Ligës së Kampionëve, duke e ngritur trofeun më prestigjioz të Evropës dy herë, në vitin 1999 dhe në vitin 2008. Mirëpo, që nga atëherë, ata e kanë pësuar një rënie drastike, si në futbollin vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Këtë sezon, ata mbetën në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës dhe nuk e fituan asnjë titull.

Ish-mbrojtësi anësor i skuadrës, Patrice Evra, beson se shumë gabime janë bërë që nga pensionimi i Fergusonit, dhe Manchester Unitedi ka dështuar të sjellë mjaftueshëm lojtarë të talentuar përkundër shpenzimeve të mëdha, “Do të jem i sinqertë me ju, i dua të gjithë ata. I takoj shpeshherë – kur shkoj në ndeshje, i vizitoj ata në zhveshtore dhe i inkurajoj – ata e dinë se sa shumë i dua ata”, ka thënë Evra.

“Por, ma thoni një emër apo dy prej tyre që mund të luajnë për Real Madridin, Juventusin, apo Bayern Munichun? Ka shumë pak. Do të thosha Paul Pogba dhe David de Gea. Kam shumë respekt edhe për të tjerët në skuadër”. “Frikësohem, edhe pse jam njeri pozitiv, por nuk që Manchester Unitedi të bëhet siç ishte Liverpooli, Milani apo Arsenali – ata duhet të prisnin shumë vjet për t’u kthyer përsëri në formë të mirë. E ardhmja nuk duket e ndritur”.