Tiranë, 29 Maj – “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të nisë një aksion kombëtar në të gjithë qendrat shëndetësore, spitalet dhe institucionet sociale për të garantuar aksesueshmërinë fizike për personat me aftësi të kufizuar”.

Në mbledhjen e parë të këtij viti të Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar drejtuar nga Ministrja Manastirliu, u diskutua mbi aksionet konkrete në rrëzimin e barrierave për personat me aftësi të kufizuar.

Ministrja Manastirliu I bëri thirrje edhe ministrive dhe institucioneve të tjera t’I bashkohen aksionit kombëtar për rritjen e aksesueshmërisë.

“Një ftesë për të gjitha bashkitë dhe ministritë që kanë projekte në fushën e ndërtimit, të garantojnë përshtatjen e tyre për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë që së bashku, të rrisim përfshirjen dhe të rrëzojmë barrierat për personat me aftësi të kufizuar”, tha Manastirliu.

Punësimi I personave me aftësi të kufizuar ka përparësi -theksoi Manastirliu- me nxitjen e ndërmarrjeve sociale, të sanksionuara tashmë me ligj dhe aktet nënligjore që po finalizohen do të bëjnë të mundur mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe përfshirjen në punësim të kateorisë së personave me aftësi të kufizuar.

Ministrja Manastirliu u ndal edhe te reforma e nisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuar, për të krijuar një model të ri vlerësimi bio-psiko-social për këtë kategori, vlerësim që kryhet në cdo vend në Europë.

Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë ju kushtua vënies në efiçencë të Fondit Social, i cili sapo është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, një mekanizëm i ri i ngritur nga Qeveria për të përmirësuar dhe zgjeruar shërbimet sociale në territor.

Në takim merrnin pjesë edhe Ministrja e Drejtësisë znj. Gjonaj, zv/Ministra të disa fushave si Rendi, Arsimi, Kultura, Infrastruktura, etj si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe personave me aftësi të kufizuar, pjesë e Këshillit Kombëtar të Personave me aftësi të Kufizuar.

Përfaqësues të grupeve të interest vlerësuan se ky takim i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar është një mundësi e mirë për të rritur ndërveprimin mes institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile dhe grupeve të interest për orientimin sa më efikas të politikave që lidhen me sigurimin e përfshirjes në të gjitha fushat të personave me aftësi të kufizuar.