Edhe pse dje u rikthye në fushë, duke luajtur me kombëtaren gjermane pas një periudhe të gjatë pushimi për shkak të dëmtimit, e ardhmja e portierit Manuel Neuer te skuadra e Bayern Mynih është në dyshim. E përditshmja britanike “The Sun” ka bërë me dije sot se kampionet e Gjermanisë kanë shënjestruar portierin e kombëtares britanike dhe të Evertonit, Jordan Pickford, pasi nuk kanë besim te forma fizike e Neuer. Pickford, 24 vjeç, është përzgjedhur në kombëtaren britanike në Kupën e Botës “Rusi 2018”, ndërsa Neuer, 32 vjeç, ka qëndruar 8 muaj pushim për shkak të dëmtimit në këmbë.

Neuer, një nga senatorët e Bayern dhe kombëtares gjermane (74 ndeshje), ka gjithë Botërorin në dispozicion për të treguar se është ende një portier i vlefshëm për kampionët dhe se mund të bëjë diferencën në fushë. Ndërsa Pickford pritet të jetë portieri titullar i Anglisë në Botërorin rus dhe në rast të një oferte të mirë nga Gjermania mund të lërë Premier League për të luajtur në Bundesligë dhe në Champions sezonin e ardhshëm. Problem për Bayern do të jetë rivaliteti me Manchester United, që mund të marrë Pickford në rast se De Gea vendos të largohet dhe të rikthehet në Spanjë.