Një libër mbi misteret e tragjedisë/
Pavarësisht natyrës së saj në thelb fataliste, tragjedia qysh me lindjen e saj e ka magjepsur dhe tmerruar njëkohësisht qenien njerëzore. Ajo është një ndër fushat më të lëvruara të artit, që edhe sot e kësaj ditë lexohet, analizohet dhe diskutohet deri në thellësi. Por pse i nevojitet qenies njerëzore tragjedia në vetvete?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje na vjen në ndihmë, autori, filozofi dhe historiani argjentinas, Jorge Angel Livraga i cili ka shkruar librin me titull “Tragjedia, Teatri i mistereve” një vepër tashmë e përkthyer në shqip nga Botime Akropoli i Ri. Para se të futet dhe të shpjegojë lindjen e tragjedisë si një akt transmetimi dijesh përmes teatrit, Livraga na paraqet një pasqyrë të tragjedisë greke dhe autorit më të rëndësishëm që e lëvroi atë, Eskilit.
Tragjedia si gjini e mirëfilltë e letërsisë dhe teatrit, ka filluar rreth 2500 vite më parë në Greqi. Ai që e lindi ishte Eskili, i cili tashmë cilësohet si babai i tragjedisë dhe dramaturgu më i madh i Greqisë antike. Ai lindi në vitin 525 para Krishtit, në Eluzinë, afër Athinës. I takonte një familjeje aristokrate. Ai jetoi në kohë kur grekët ishin në luftë me persët, ku edhe vetë mori pjesë në luftën kundër tyre. Së bashku me Sofokliun dhe Euripidin janë themelues të tragjedisë.
Përpos tragjedisë me titull Persët, të gjitha të tjerat i kanë marrë subjektet nga ciklet e miteve dhe legjendave të lashta, përmes të cilave Eskili shprehu shpirtin e kohës, përplasjet politike e shoqërore, virtytet dhe krimet, pasionet njerëzore në tërë dritë-hijet e tyre, luftën në rrafshin filozofik midis obskurantizmin dhe iluminizmit. Tek Orestia ideja e Eskilit na paraqitet si një rrjedhoje ku krimi lind krimin. Tragjedia greke merret me ngatërresën fatale të protagonistit që ka rënë në një situatë të pashpresë. Temat e mbuluara shkojnë nga çështjet filozofike, fetare e deri tek ato ekzistenciale të tilla si: çështja e të qenit, individi dhe shoqëria, njeriu dhe zotat, krimi dhe ndëshkimi, karakteri dhe fati. Fati e çon protagonistin në një situatë të pazgjidhshme, konflikt ky tipik i tragjedive greke. Një shembull i mirë është ai i mbretit Edip nga Sofokliu.
Tragjedi ka një strukturë karakteristike, në të cilën skenat e dialogut alternohen me këngët e korit. Kjo lejon korin që në këngën e tij të komentojë në mënyrë të përgjithshme mbi atë që është thënë apo bërë në skenë. Për lexuesin modern kori është një nga elementët më të huaj të tragjedisë, pasi nuk është i pranishëm në tragjeditë moderne. Forma moderne më e ngjashme me tragjedinë antike është opera, e cila është një formë dramatike që përmban këngë dhe kërcim. Luajtja e disa roleve njëkohësisht, meshkuj dhe femra, bëhej e mundur nga përdorimi i maskave, të cilat nuk e lejonin audiencën të identifikonte fytyrën e aktorit si dhe ndihmonin në mos dallimin e tipareve fizike mes meshkujve që luanin rolin e femrave. Maska përcaktonte, seksin, moshën dhe shkallën sociale të karakterit.
Nga ana tjetër, autori Livraga na paraqet edhe një dimension disi ndryshe të kësaj tragjedia. Ai na fut në një realitet më magjik nga ai që vëmë re shpeshherë në trajtesën dhe në qasjen që kemi kundrejt tragjedisë së lashtë. Livraga na thotë në libër se Eskili i kishte marrë nga shkollat e mistereve temat e tragjedive të tij, duke i përkthyer ato në vepra letrare me karakter të tillë. Po ashtu, autori na thotë se për këtë veprim ai është dënuar nga këto shkolla dhe është përjashtuar. Këto shkolla ishin institucione të cilat pranonin një pakicë të vogël njerëzish, pasi në to mund të futeshin vetëm persona të përzgjedhur dhe të ditur. Sipas tij, këto shkolla mbanin dije te fshehta dhe të harruara të vetë njerëzimit. Gjithashtu qëllimi se pse Eskili i nxori publikisht këto të vërteta ishte fakti që të njiheshin nga mbarë populli dhe për rrjedhojë, këto të vërteta t’i ndryshonin ata dhe t’i lartësonin si individë. Pra, për grekët e lashtë tragjedia nuk ishte diçka argëtuese, përkundrazi kishte një funksion konkret edukues socio-psikologjik, pasi shkaktonte në publik atë që Aristoteli e quan me termin katharsis, purifikimin dhe pastrimin e emocioneve e mendimeve përmes artit. Pikërisht si pasojë e kësaj rëndësie që kishte tragjedia në antikitet te populli i gjerë, Livraga na fton jo vetëm të bëjmë një lexim për të mësuar në rrafshin historik, por të bëjmë një zhytje në dimensionin e tragjedisë duke lejuar që ato dije të lashta dhe katharsisi i Aristotelit të jetë një proces që ndodh brenda nesh.
Andi Kurti, Botime Akropoli i Ri