13 tetori do të jetë një ditë feste për qytetarët e Tiranës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Për të katërtin vit radhazi, rikthehet Maratona e Tiranës me një pjesëmarrje të moshave të ndryshme nga shumë vende të ndryshme të botës.

Ky event mund të cilësohet si eventi më i madh sportiv i kryeqytetit dhe jo vetëm. Teksa fton qytetarët që të regjistrohen për Maratonën e këtij viti, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përmes një postimi në Facebook, Veliaj nënvizon se më 13 tetor qytetarët do zgjedhin nëse do qëndrojnë në shtëpi apo do të marrin pjesë në Maratonën e Tiranës 2019 ku mund të zgjedhësh sërish mes disa garave të ndryshme.

“Vjet lindi Kajan, sivjet s’ka justifikime! Në 13 Tetor ka zgjedhje, dhe nuk janë imagjinaret e politikës së vjetër. Mund të rrish në shtëpi, ose të marrësh pjesë në Maratonën e Tiranës 2019 – ku mund të zgjedhësh sërish mes disa garave të ndryshme! Unë do tentoj 21km këtë mandat”, thekson Veliaj.

Itinerari do të përshkruajë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë, por edhe në argëtim. Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, do të mund të konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen shumë aktivitete artisitiko-kulturore në kuadër të këtij eventi.