Është miratuar në Komision e Ekonomisë, projektligji i fiskalizimit, i cili më pas do t’i kalojë për shqyrtim dhe miratim Kuvendit.

Ky projektligj i ri synon monitorimin në kohë reale të gjitha shitjeve dhe blerjeve të biznesit me konsumatorin, biznesin dhe shtetin, dhe vjen si një masë për të ulur informalitetin. Ky sistem do të bazohet në aplikacione te reja dhe fut në përdorim faturën elektronike.

LEXO EDHE:
14 investime strategjike të miratuara/ Ikonomi: Ndryshimi i ligjit shmang boshllëkun ligjor
Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar se ligji do të hynte në fuqi në janar të vitit 2020, ai është shtyrë për në 1 shtator të vitit të ardhshëm dhe fatura elektronike të përdoret plotësisht vetëm në 1 korrik 2021.

“Fiskalizimi nuk nis as në korrik as në qershor por më 1 shtator 2020. Kemi rënë dakord që faza e parë të nis në shator 2020, ndërsa dy fazat tjera në janar 2021. Ndërsa fatura elektronike në 1 korrik 2021”, u shpreh Ahmetaj.

Gjatë mbledhjes së sotme të komisionit është saktësuar se nuk do të hiqen nga tregu kasat fiskale aktuale pasi është menduar për një zgjidhje softuerike, e cila bën të mundur modifikimin e kasave me sistemin e ri.

“Nuk do përjashtohen kasat fiskale aktuale. Nuk do të kemi memorie fiskale të detyrueshme pasi rrit kostot për biznesin. Kasat nuk do të largohen pasi do të përdoret një server i mesëm, i propozuar nga vetë kompanitë e kasave fiskale” tha zëvendësministri Haxhi.

Futja e një programi të ndërmjetëm për të mos nxjerrë nga tregu kasat ka hasur në kundërshtinë e anëtarëve të komisionit. Senida Mesi e ka konsideruar të paqartë ketë propozim, ndërsa Blerina Gjylameti ka ngritur shqetësimin e ruajtjes së të dhënave konfidenciale.

Arben Ahmetaj: Ku do të rrijë serveri? Tek AKSHI?

Elton Haxhi: Jo nuk do qëndroj tek AKSHI nuk e ka pranuar.

Ahmetaj: Në asnjë mënyre serveri duhet menaxhuar nga institucione shtetërore. Ky sistem nuk mund të mbetet në duart e privatit. Një sistem që ka të bëjë me menaxhimin fiskal nuk mund të qëndroj në dorën e privatëve. Kjo është absurde. Ata mund të ç’bëjnë të dhënat.

Elton Haxhi: Sistemi që kemi ne është në serverët e AKSHIT dhe menaxhon të gjitha parametrat e sigurisë. Ndërsa zgjidhja që ofrojnë kompanitë që janë në treg aktualisht është përgjegjësi e tyre, dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi.

Blerina Gjylameti: Ju thatë që nuk mbani përgjegjësi për softin, por a nuk janë të dhëna sensitive ato të biznesit, dhe që i kalojnë privatit, a nuk duhen ruajtur ato? Një kompani private mund të mos mbaj asnjë përgjegjësi dhe të cenojnë të dhënat. Do tua lejmë këtë të drejtë privatit dhe do t’ia heqim shtetit?

Elton Haxhi: Kjo është marrëdhënie mes tatimpaguesit dhe biznesit. Infrastruktura e serverit të ndërmjetëm, dhe ruajtja e konfidencialitetit është e detyrueshme. Ju po propozoni që administrata tatimore të jetë përgjegjëse për të gjitha zgjidhjet softuerike që iu shkrepen në kokë biznesit. Kjo është e pamundur.

Senida Mesi: Sot po miratojmë një projektligj që është i paqartë. Nëse unë nuk e kam të qart a e keni ju të qartë dhe biznesi si do të jetë arkitektura e këtij projektligji. Është i pakuptueshëm. Ju duhet të përcaktoni bazën ligjore që të mbrohen 120 mijë tatimpagues. Ju duhet ti garantoni tatimpaguesit që do të respektohen. Ky projektligj kërkon një testim dhe afat më të gjatë, për të testuar sistemet se sa do të funksionojnë.

Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Komisioni i Ekonomisë kanë theksuar se ky projektligj nuk do të sjellë kosto shtesë për biznesin dhe se do të rritë konkurrencën.