Nga Alfred Peza/

Sa herë që në Shqipëri ka një aksion politik kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, aq herë e gjithë propoganda rreth saj, nëpërmjet një diskursi agresiv, shoqërohet mbi mite të rreme. Kjo qasje është bërë një mënyrë e re jetese në Shqipëri. Një kulturë domunisuese, e jetës sonë publike që po asgjeson, traditën e mëparshme, që rrekej të krijonte një klimë debati konstruktiv bazuar mbi logjikën, mbi prova e fakte, mbi argumenta, mbi shembujt, idetë dhe mendimin racional.

Kjo kulturë, me ndihmën e opozitës dhe opozitarëve mediatikë në Tiranë, po reflektohet edhe në Prishtinë në debatin rreth Minishengenit Ballkanik. Atje ku zgjedhjet nxorrën fitues dhe qeveri të re nuk ka ende as pas dy muajsh. Atje ku përpara se të mandatohet Kryeministri, po kërkohet që të betohet paradhënie Presidenti. Atje ku kryeministri dha dorëheqjen, por nuk po shkon dot në shtëpi. Atje ku Presidenti ftohet, por refuzon të ulet me Presidentin e Serbisë këtu, pasi është takuar me të në Bruksel a gjetkë, më shpesh se me Presidentin e Shqipërisë.

E atëherë kur ai nuk ekziston, duhet shpikur një armik i madh. Ndaj ai është zgjedhur që të jetë, Edi Rama. Me sa duket e kanë më kollaj të quajnë tradhëtar mikpritësin e Tiranës, sesa heroin e dikurshëm që kërkoi njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mes të Beogradit. Në pamundësi për ta fituar debatin me argumenta e logjikë, ashtu si “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, edhe për këtë kategori, limani më i sigurtë mbetet ai i miteve të rreme.

Të cilat janë bindje apo besim kolektiv që nuk bazohet në fakte. Sepse mitet shoqërohen gjithmonë me fantazi, elemente folklorikë, të dhëna konfuze, dëshira personale, gjysëm të vërteta dhe legjenda urbane. Meqë jetojmë në një rajon legjendash dhe mitesh, duket e kollajtë që ato të prodhohen me shumicë, gjatë takimit të radhës në Tiranë të Kryeministrit Edi Rama për Minishengenin Ballkanik, me udhëheqësit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Miti më i përpahapur ka qenë ai i trajtimit të idesë së Minishengenit, si një tradhëti e Shqipërisë ndaj Kosovës. Ekskluzivisht, si një tradhëti e Edi Ramës ndaj shqiptarisë dhe projektit të bashkimit kombëtar. Por realiteti është krejt ndryshe. Të 6 shtetet e Ballkanit Perendimor janë të ftuar natyrshëm që të jenë pjesë e saj, për shkak të procesit të Berlinit. Minishengeni nuk është as projekt i Edi Ramës, as shpikje e Beogradit dhe e askërkujt tjetër në rajon. Ajo është një iniciativë e përbashkët e disa vendeve të Bashkimit Europian, e Komisionit Europian dhe e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor.

Rrënjët e saj duhen kërkuar tek procesi i Berlinit, që i ka propozuar 6 vendeve tona, këtë mjet për mbajtjen e ritmeve integruese të Ballkanit në BE. Ndaj ky proces nuk është “kali i trojës” që Edi Rama po fut në Prishtinë, për llogari të Serbisë dhe “mikut të tij” Aleksandër Vuçiç. Por ajo është e vetmja urë lidhëse mes Ballkanit Perendimor dhe Bashkimit Europian, në përpjekjet e përbashkëta të hapjes dhe integrimit të 6 shteteve tona.

Një mit tjetër i rremë që po qarkullon, është ai i përhapur nga Ramush Haradinaj që ka thënë se Minishengeni po krijohet që Kosova të heqë taksën 100% ndaj Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë për shkak se në themel të këtij projekti qëndrojnë ato që njihen si 4 liritë fondamentale të BE: Liria e lëvizjes së njerëzve; e mallrave; kapitaleve dhe fuqisë punëtore,- brenda tregut të përbashkët në rajon.

Marrëveshjet nuk janë detyruese për asnjë nga shtetet e Ballkanit Perendimor. Sepse ato nuk do të jenë marrëveshje “on block”, por bilaterale. Pra, nëse Kosova nuk do që ta heqi taksën për mallrat serbe, nuk është e detyruar që ta bëjë. Madje mund të mos bëjë asnjë marrëveshje fare me Beogradin zyrtar. Prishtina mund të bëjë nga 1 deri në 4 “marrëveshjet e lirive”, vetëm me Tiranën zyrtare pot ë dojë. Ose vetëm me Malin e Zi. Ose vetëm me Maqedoninë e Veriut, etj. Ose më disa prej tyre.

Një tjetër mit i rremë që po trumbetohet në përpjekjet për ta kryqëzuar Edi Ramën si tradhëtar, është ai që pretendon se kryeqyteti i Minishengenit Ballkanik, do të jetë Beogradi. As kjo nuk është e vërtë. Pasi kjo është një iniciativë që bazohet mbi një proces politik vijues dhe mbi disa parime universale europiane. Nuk po krijohet as një “shtet” i ri, as një “Jugosllavi” e re, as një “union” apo një “organizatë” e re. Ndaj nuk ka as kryeqytet. Minishengeni është thjeshtë një hapësirë e re lirish.

E si për ti vënë sot vulën gjithë broçkullave kundër Edi Ramës, duke reaguar për idenë e Minishengenit Ballkanik, Ramush Haradinaj i paska thënë si njëherë qëmoti, tek baladat heorike; “nëse të dhimbsen kosovarët, hiq taksën në Rrugën e Kombit”. E që të debatosh në këto kushte me logjikë normale dhe të rrekesh të japësh argumente racionale, është njësoj si ti përgjigjesh pyetjes se përse nuk zbatohen rregullat e lojës së basketbollit, në një stadium futbolli!

As vargjet e Kiplingut “në mund të ruash arsyen kur bota humbet fillin/ e fajin ty ta hedh…” nuk duket se të vijnë në ndihmë në këtë rast. Për aq kohë, sa askush as nuk don as të dëgjojë, as të shikojë, as të analizojë, as të kuptojë.

Nesër është një ditë e re. Edi Rama do vijojë axhendën e tij “të vjetër”. Ndërsa Kosova, avazet e problemeve të saj të reja. Në këtë pikë askush nuk e ndihmon dot, për aq kohë sa gjithkush duhet të mbajë mbi shpinë, peshën e kryqit të vet. Krizën politike në Prishtinë, duhet ta zgjidhin vetë. Duke u përballur me realizëm. Jo me mite të rreme, si këto për Minishengenin Ballkanik.