Nga Ilir Mborja

Nuk jua kam thënë troç, por ama e kam lënë të kuptohet që, edhe unë, kam lidhje me George-n. Kur, para pak ditësh, u inagurua Pallati i Drejtësisë aty tek Fusha e Aviacionit, unë e publikova letrën time dërguar atij.

Për atë e bëra: që, larg e larg, ju të merrnit me mend miqësinë time me miliarderin. Ju kujtuat se, në atë letër që i shkrova, unë kisha merakun për ta falënderuar atë për kontributin finaciar që dha në Reformën në Drejtësi? Gaboheni. Ç’budallenj që jeni?!

Duke i kërkuar publikisht për Ilir Metën një top që t’i vejë gjoksin, ose një tank që t’i hidhet sipër kur ta rrethojë SPAKu, unë shfrytëzova rastin që ju, tërthorazi, të kuptonit se marrëdhëniet e mia me të janë si midis dy miqsh të ngushtë. Vetëm për këtë e bëra…
Sot kam vendosur t’ju tregoj përgjigjen e tij, ku ai gjithmonë, ndryshe nga unë (siç do ta vini re) më drejtohet me “Ju”. Në fakt, për këtë letër konfidente, mjeku psikiatër që më ndjek më këshilloi: “Mos e bëj publike, se letra (sidomos nga fundi) ka edhe gjëra disi banale!.. Edhe miku juaj mund të mërzitet. Pastaj, duke publikuar miqësinë me të, njerëzit do të të quajnë mitoman.”…

Nejse! Më quani si të doni! Sot kam vendosur të mos dëgjoj këshillën e mjekut. Do ta publikoj letrën. Nuk zemërohet George me mua. Ju tregova që e kam mik për kokë dhe, po u mërzit miku im, do t’i kujtoj shprehjen e tij “konfidenca – nëna e të gjithë të këqijave”… Ndërsa, sa për atë pjesën banale në fund të letrës, unë nuk mbaj përgjegjësi. Jemi në stinë plazhi dhe, kur je me rroba banjo, mund të tregohen edhe ndonjë ndodhi si ajo që tregon miku im George. Mori fund: Do t’ju tregoj përgjigjen që më dërgoi miku im miliarder. Ja letra:

“I shtrenjti miku Ilir Mborja!

Duke Ju falënderuar për letrën Tuaj të ngrohtë e plot mirënjohje të datës 26 korrik 2019, po Ju tregoj dy ndodhi që shpjegojnë pamundësinë time për t’Ju plotësuar këtë radhë dëshirën Tuaj legjitime në lidhje me dhuratat që me shumë droje më kërkoni.

Tek ndodhia e parë mund të kuptoni mosarsyen e arsyes se përse nuk kam ndërmend të dërgoj në Tiranë asnjë top e asnjë tank për Ilir Metën. Ndërsa tek e dyta, kur ta lexoni, do të kuptoni arsyen e mosarsyes se përse ende, edhe në këto ditë të nxehta gushti, Lulzim Basha nuk mund të rrijë dot pa thërritur gjithandej ku vete në Shqipëri: “Fitoreee!”…
*
Ndodhia e parë:

Siç dihet, në betejën e Stalingradit midis gjermanëve dhe sovjetikëve nga gushti i vitit 1942 deri më shkurt të vitit 1943, Hitleri, detyrën e komandantit ia kishte ngarkuar gjeneralit Frederik Fon Paulos. Kur Armata e gjashtë e Wehrmacht dhe Njësia e Katërt e Panzerave ndodhej e rrethuar dhe pa asnjë shpresë, Fon Paulos iu lut Hitlerit ta lejonte të bënte një përpjekje që të thyente rrethimin e të tërhiqej, por nga Fyhreri mori këtë përgjigje: “Frederik Fon Paulos gradohet Feld Marshall”…

Në rregulloren ushtarake një feld marshall nuk duhet të dorëzohet kurrë i gjallë. Ai duhet të mbajë gjithmonë një fishek rezervë për të vrarë veten kur nuk ka rrugë tjetër… Pra, duke e graduar feld marshall, veprimi i vetëvrasjes i rekomandohej Fon Paulos-it nga Hitleri…

Kur e njoftuan Stalinin për këtë, ai, me shqisën e një psikologu të lindur, e nuhati se Fon Paulos nuk ishte nga ata burra që vriste veten dhe, qetë, qetë, tha: “Ky është një lajm shumë i mirë. Hitleri po na jep mundësinë që të kapim rob edhe një feld marshall.”… Dhe vërtetë ashtu ndodhi. Nuk kaloi asnjë javë nga gradimi dhe më 2 shkurt, në bilancin e Ushtrisë Kuqe, u regjistrua rob edhe një feld marshall. Ishte Frederik Fon Paulos…

Nga e kuptoi Stalini atëherë që feld marshalli Fon Paolos nuk do të vetëvritej? – Do të pyesni Ju… Po kjo dihet: askush nga ata që vret veten nuk kërkon leje për ta bërë atë veprim… Edhe Ju i dashur miku im Ilir, duhet të kuptoni që, ai që paralajmëron, asnjëherë nuk e vret veten. Kështu edhe adashi juaj, gjersa ka paralajmëruar nuk e vret veten. Mos kini merak! Ilir Meta, jo që nuk ngjan me heronjtë Tuaj Mic Sokoli e Vojo Kushi, por nuk ngjan as me Allenden… Mua më duket se rasti i rrethimit të tij nga SPAKu, ngjan me rastin e rrethimit të Stalingradit dhe “vetëvrasjen” e feld marshallit Fon Paulos…
I dashur miku im!

Meqenëse jemi edhe në sezon plazhi (siç më thotë miku im Edi Rama edhe “Mic Sokoli” Juaj ka veshur rrobat e banjos) dhe tashmë unë jam në moshë madhore, më lejoni t’Ju tregoj edhe ndodhinë e dytë që përmban diçka banale!

Ndodhia e dytë:

Ju mund të mos e keni marrë vesh, por unë nuk mund t’ju mbaj gjë të fshehur Juve. Para pak ditësh, unë i dërgova një mesazh mikut tim Lulzim Basha.

I kërkova që, ai dhe partia që drejton, të distancohet qartë nga sulmet e Ilir Metës ndaj meje dhe fondacionit tim…

Mesa më njoftuan, ai e zbatoi porosinë time duke e shpërndarë në formën e një “qarkoreje të brendshme” tek të gjithë drejtuesit e PDsë në rrethe. Ndodhia që do t’Ju tregoj është e këtyre ditëve, dmth, pas qarkores.

Në përpjekje për të ripajtuar edhe një herë Edi Ramën me Lulzim Bashën, për t’i bërë bashkë kundër Sali Berishës e Ilir Metës, u krijova mundësinë të flenë të dy në një krevat dopio. Në fakt, me ju dua të flas hapur dhe, fjala e duhur do të ishte: i detyrova. Si “rastësisht” dhe si në rrethana disi të veçanta, “të kushtëzuara”, medemek nga pamundësi tjetër, ata i vura të flenë të dy bashkë në një krevat…

Kur të nesermen zbardhëm videopërgjimin që specialistët e mi kishin instaluar tek abazhuri i dhomës së hotelit, në orën 02. 37’’, dëgjohet Luli që nis e bërtet me zë të lartë: “Fitoreee! Fitoreee! Urraaa! Fitore! M’u ngrit! M’u ngrit! Më në fund m’u ngrit! Kishte gjashtë vjet që s’më ngrihej. Urraaa!”…

Por thirrjet e tij ndërpriten, kur Edi Rama i thotë: “Mos bërtit o Lulush se ke kapur timin!”… Pastaj, në fund, dëgjohet Luli që këndon himnin Tuaj të Teatrit Kombëtar…

*

Me shumë mall, i Juaji George.
Washington, 8 gusht 2019.

*
Ilir Mborja