Mero Baze/
Arrestimi i një sërë zyrtarëve të urbanistikës dhe investitorëve të disa ndërtesave në Durrës, duhet të shërbej si një proces që të provojë shkakun që prodhoi tragjedinë pas tërmetit. Ekspertiza e godinave të shembura dhe atyre ku humbën jetë njerëzish,duhet të provoj në mënyrë shkencore se çfarë ka shkuar keq në ato godina.
Disa prej tyre kanë qenë godina të periudhës fundit komunizmit, ndërtuar jashtë standarteve. Por një pjesë e madhe janë godina të tranzicionit, të cilat ose janë ndërtuar keq, ose ka pas ndërhyrje jashtë standarteve të ndërtimit.
Verfikimi i kësaj problematike, duhet të na çoj tek personat përgjegjës, dhe jo e kundërta. Nëse nisemi nga persont që duam të ndëshkojmë për betejë politike, e pastaj të gjemë argumente për arrestimin e tyre, jo vetëm që rrezikojmë ti bëjmë viktima të ndaluarit dhe të shpallen të pafajshëm, por të fshehim dhe shkaqet e vërteta të tragjedisë, që mund të na përsëritet.
Kam parë reagimin e PD që në gjithë këtë histori, kërkon deomos arrestimin e Vangjush Dakos, si ish kryetar bashkie. Nuk është se kam parë ndonjë fakt që e lidh përgjegjesinë e ndonjë godine të shembur me Vangjush Dakon, por natyrisht që nuk e përjashtoj të ketë, nëse del gjatë hetimit. Por po të nisemi nga emrat e bashkiakëve, duhet ta të ndalojmë gjithë ish kryetarët e Bashkisë së Durrësit nga viti 1992 ti mbajmë në paraburgim derisa të përfundoj gjyqi, pasi më së shumti kanë rënë, godina që janë ndërtuar deri në vitin 2000, kur Durrësi ka qenë drejtuar nga PD. Duhet të ndalojmë me këtë logjikë, Tomor Golemin që ka drejtuar deri më 1996, Arqile Gorea që ka drejtuar deri në vitin 2000, Miri Hoti që ka drejtuar deri në vitin 2003, Lefter Koka deri në vitin 2007 dhe së fundmi Vangjush Dakon pas vitit 2007. Biles dhe Muho Asllanin duhet ta ndaojmë, se kanë rënë disa godina të ndërtuara nga partia me kontribut vullnetar.
Por të nisesh nga kjo logjikë është një mënyrë se si ti nxjerrësh të pafajshëm të gjithë, duke u marrë me të fundit, të cilit dyshoj se i ka rënë ndonjë pallat, nga ata që ka dhënë leje.
Kjo është mënyra më e keqe për të sabotuar procesin e hetimit dhe gjykimit të fajtorëve, dhe për ta lënë krimin pa emër në Durrës, Lezhë e Laç.
Shikoni se çfarë ndodh me krimin tek Kavalishenca. Ndërhyrja e fundit zyrtare me tender është bërë në vitin 2008, kur ishte ministër Bujar Nishani. Aty humbi jetën një oficer policie. Sali Berisha për ta mbuluar përgjegjësinë e tenderuesit të fundit që e ka në krye të PD, shpik që aty ka bërë orgji Saimir Tahiri, ndaj ka rënë muret. Tani perversitete të tilla, të një plaku të lig, që tenton të mbuloj krimet duke bërë politikë, nëse nuk hetohen si përpjekje për të fshehur krimin, mund të dëmtojnë procesin. Në këtë rast PD nuk thotë të ndalohet Nishani, por të ndalohet Saimiri se nga “orgjitë” janë tronditur muret.
Hetimi duhet të jetë serioz dhe duhet të nis nga rrënojat për të shkuar në zyra dhe jo nga zyrat për të shkuar tek rrënojat. Po e nisëm nga zyrat jemi duke bërë politikë dhe personazhet do mbrohen politikisht. Po e nisëm nga rrënojat, askush si mbron dot më. Mos e ribëni hero Vangjush Dakon, pa qenë nevoja, se do niseni te arrestoni Vangjushin e mund t’iu dalin tuajt me keq. Lerini prokurorët të merren me shkaqet për të gjetur fajtorët dhe jo t’ua caktoni prokurorëve fajtorët dhe ata të gjejnë shkaqet. Kështu kanë pas vepruar kur donin të nxirnin grupe armiqësore në komunizëm. Tani jemi duke kërkuar fajtorë, jo grupe armiqësore.