Në Bashkinë Kamzë shpërndarja e librave falas ka vijuar normalisht dhe janë shpërndarë deri më tani 98% e tyre.

Gentian Murataj, Drejtori i Zyrës Arsimore Vendore Kamzë ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në Bashkinë Kamzë janë 23 shkolla. “Në juridiksionin e Bashkisë Kamzë janë 23 shkolla, nga këto janë të 8 arsimit të mesëm të ulët dhe 5 janë të arsimit të mesëm e të lartë”.

“Janë marrë të gjitha masat dhe mirëpresim nxënësit që të hënën të fillojë mbarë mësimi. Në Bashkime e Kamzës është bërë rikonstruksioni i një shkolle totalisht është pajisur me bazën materiale, ndërsa po ndërtohet një shkollë e re dhe është në hapat e fundit të mbarimit”, tha Murataj.

“Sa i takon teksteve falas, shpërndarja ka vijuar normalisht dhe deri më tani 98% e shpërndarjes është realizuar. Nga këtu në arsimin fillor është bërë shpërndarja 100% e teksteve, në arsimin e mesëm të ulët 90% e teksteve dhe dhe klasën 10-12, janë shpërndarë 75% e teksteve. Në zyrën vendore arsimore Kamzë kemi një numër relativisht shumë të lartë të nxënësve, 14 311 në arsimin e mesëm të ulët dhe 13 417 në arsimin e mesëm të lartë”, përfundoi Murataj.