Tërmeti solli frikë dhe panik tek qytetarët, duke bërë që një pjesë e qytetarëve ta kalojnë natën jashtë. Por për të inkurajuar nënat e reja në një ditë si ajo e djeshmeja, mjekët dhe infermierët e maternitetit ‘Koço Gliozheni’, u shfaqën duke kërcyer dhe argëtuar. Mjekja Anika Dokle publikoi videon në profilin e saj dhe dha lajmin e bukur që 15 bebusha erdhën në jetë.
“Punë dhe mision. Pritëm 15 bebusha si drita e yllit gjatë një dite ku përmasa njerëzore u ngrit në një nivel tjetër. I gjithë personeli mjekësor dhe infermieristik në këmbë në mbrojte të jetës, pa lëvizur asnjë minutë nga gratë, nënat dhe bebet. Krenari dhe mirënjohje!”, shkruan Dokle.