Skuadra e Golden State është shpallur kampione në Konferencën e Perëndimit, pas fitores 101-92 ndaj Houston në finalen e shtatë të play off-it në këtë kah të NBA-së, duke siguruar edhe të drejtën për të dueluar për titullin kampion ndaj Cleveland (kampion në Lindje). Ekipi kampion i Warriors fitoi 4-3 me ndeshje, duke triumfuar në fushën e Rockets në takimin e shtatë final. Vendasit dështuan në përballjen e fundit, duke mos dhënë atë që pritej, sidomos në pjesën e dytë, duke zhgënjyer para publikut të tyre.

Harden realizoi 32 pikë, Gordon 23 e Capela 20, por u ndje shumë mungesa e Chris Paul. Houston e dominoi takimin në pjesën e parë, por në të dytën erdhi përmbysja e Golden State, që triumfoi falë 34 pikëve të Durant dhe 27 të Curry, një dyshe që u mbështet mirë edhe nga Thompson (19 pikë) dhe Green (10 pikë e 13 rebaund).

Kjo është hera e katërt radhazi që Golden State dhe Cleveland Cavaliers do të luajnë mes tyre për titullin kampion në NBA, gjë që ndodh për herë të parë në historinë e këtij sporti, që dy ekipe të dalin për 4 vite radhazi nga Konferencat përkatëse. Golden State ka fituar 2 tituj, ndërsa Cleveland një, por kampionët e Warriors do të kenë faktorin fushë në favor në këto finale.