Ditën e sotme Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të niset rreth orës 15:30 drejt Izraelit, për të mbajtur ndeshjen për Ligën e Kombeve. Mirëpo, vetëm pak përpara nisjes, faqja e Federatës së Futbollit ka njoftuar se portieri Alban Hoxha e ka lënë grupin.

Shkak për këtë është bërë një dëmtim i marrë gjatë stërvitjes, gjë që e ka penguar Albanin të vazhdojë ditën e sotme me Kombëtaren. Pas largimit të Ramadanit dhe Veselit, edhe Hoxha është zëvendësuar me portierin e Shpresave, Elhan Kastratin.

Në njoftimin e FSHF-së shkruhet:

“Një tjetër zëvendësim i detyruar për shkak të probleme fizike në radhët e ekipit kombëtar të futbollit. Portieri Alban Hoxha është dëmtuar dhe nuk mund të udhëtojë sot me skuadrën drejt Izraelit. Në këtë situatë, trajneri i ekipit kombëtar Christian Panuçi ka thërritur menjëherë ti bashkangjitet skuadrës, portierit të ekipit kombëtar U-21, Elhan Kastrati i cili pritet për pak ti bashkohet skuadrës për ndeshjen zyrtare në Izrael. Skuadra udhëton sot drejt Tel Avivit rreth orës 15.30. Në orën 19.45 (ora lokale) të ditës së sotme do të zhvillohet konferenca për shtyp e trajnerit të skuadrës me kapitenin e ekipit.”