Nga Enkeleda Bodini/

Lajmet e rreme apo Fake News mund të marrin fytyra të ndryshme. Ata kanë ndikime të mëdha, sepse formësojnë opinionin tonë. Ne marrim vendime në bazë të informacioneve që kemi. Pra, nëse shohim një lajm në web që është sajuar, ekzagjeruar apo shtrembëruar, ne marrim vendim bazuar mbi të. Për shembull: Nëse juve ju pëlqen një blogere dhe postimet që ajo bën, ju do të blini produketet që ajo reklamon. Ai produkt mund të jetë i shtrenjtë dhe jo cilësor, por ju e blini sepse e reklamon ajo. Kjo është një mënyrë sesi ju jeni ndikuar nga një fake news. Por nëse kjo ndodh për produkte, çfarë ndodh për vendimmarrje më të mëdha, për të cilat njerëzit duan informacione të sakta që të marrin një vendim të drejtë. Si për shembull, votimi në zgjedhje.

Që një person të votojë, do të njihet me programin politik të një partie dhe të dëgjojë se çfarë do të bëjë për katër vjet kryeministri apo kryebashkiaku. Nëse publiku ushqehet me informacione të rreme ose të shtrembëruara, do të sjellë shumë vota për atë parti ku zgjedhësit nuk kanë qenë të mirëinformuar ose më saktë janë keqinformuar me dashje. Efekti i fake news do të ndihet më vonë, kur partia që ju kishte premtuar dhe ju i kishit besuar nuk do të mbajë premtimet.

Shkencëtarat kanë zhvilluar shumë teori për të përshkruar sesi njerëzir përpunojnë dhe krijojnë opinione me informacionet që kanë. Fatkeqësisht ata kanë gjetur që mjerëzit janë qenie aryetimi i të cilëve varet kryesisht nga një grup i ngushtë procesesh. Për shembull, një teori popullore thotë që nëse njerëzit ushqehen me informacione të jo të sakta, sjellja e tyredo të ndryshojë në përputhje me rrethanat.
Gjatë dekadës së fundit, erozioni i besimit në institucionet publike dhe burimet tradicionale të mediave kanë ecur paralelisht. Tashmë jo vetëm politika, por edhe mediat po përhapin dezinformim dhe nuk është çudi të kuptosh që përhapja e lajmeve të rreme ka ndikuar në rezultat e zgjedhjeve.

Hulumtimet shpjegojnë se lajmet e rreme posedojnë atribute të caktuara që i bëjnë njerëzit të besojnë tek ata, dhe të kuptuarit e këtyre faktorëve mund të hedhin dritë mbi mënyrat e mundshme për të ndaluar përhapjen e dezinformatave të rrezikshme.
Dhe pse lajmet e rreme mund të mos jenë shumë të përhapura, kjo nuk e bën këtë fenomen një çështje më pak të rëndësishme. Lajmet e rreme janë një mjet i fuqishëm për të nxitur një program jo real dhe kanë si synim keqbërjen. Kjo e pengon shoqërinë të përfshihet në një diskutim të zgjuar dhe të bazuar në fakte reale. Ajo që ne duhet të gjithë të bëjmë është të jemi të vetëdijshëm për përmbajtjen që lexojmë dhe për përmbajtjen që po ndajmë me të tjerët.