“Panorama” ka kontaktuar mbrëmë aktorin Robert Ndrenika, pas akuzave të Guljem Radojës se ai u shit për çështjen e Teatrit.
Ndrenikai ka pohuar se është në një gjendje jo të mirë shëndetësore.
Nga ana tjetër e telefonit dëgjohej kolla e aktorit, që herë pas here e pengonte të fliste.
“Të më falni, por nuk jam mirë me shëndet. Nuk jam mirë. Unë kam bërë disa deklarata më parë, ja merrni ato.
Sot e kishin shkruar në një gazetë njërën”, thotë Ndrenika.
Për fjalët e kolegut të tij, që në njëfarë mënyre e akuzon se u lejua të manipulohet nga politika, ai shprehet:
“Mendon se jam shitur?! Epo mirë, le të mendojë ashtu. Por a mund të më thotë se me se jam shitur?!
E pra, kam marrë para. I thoni që kam marrë nja 200 mijë euro”, thotë me ironi Ndrenika.
Gjendjen e rënduar të aktorit e pohojnë edhe miq të tij.
Ndrenika që në fillim të protestave është shprehur për nevojën e ngutshme për një teatër të ri, duke këmbëngulur që asnjë pjesë të mos i kalojë privatit.
Së njëjtës deklaratë i qëndron edhe sot, duke shpresuar për një teatër më të mirë për brezin e ri.