25 Rreshtat e Mirës/ Kur shkoj nga prindërit, më ndodh shpesh të shoh Ardit Gjebrenë. Si sot! Historia e Qaniut me Fiqiretin. Dy njerëz që kanë jetuar të martuar 43 vjet dhe që po të mos ishin nga Shqipëria, sot do ishin në ndonjë udhëtim, duke parë kryeqytete në grupe turistësh.

Në realitet ata janë duke u zënë për leckash tek Eni Çobani. Qaniu do që të kthehet në shtëpi, nga e cila është nxjerrë jashtë pas sherreve 15-vjeçare për pronën (e ka dëbuar Fiqireti, ngaqë, siç thotë, i plasi shpirtin, jo vetëm pse e ka rrahur fizikisht, por më shumë se humbi atë vreshtin). Në çift pas vitit 2002 ka pasur sherre dhe dhunë, jo vetëm fizike edhe mendore (por nuk e kuptojnë këtë cerebralen, për fatkeqësinë e mirë të tyre). Edhe dëme ekonomike (vetëm këtë arrijnë ta deshifrojnë qartë). Qaniu ka hall se s’ka kush i jep ilaçet dhe Fiqireti po e linte në baltë duke e braktisur në pleqëri për gabimet e tij, ani pse ndonjëherë edhe kish vënë dorë mbi të. E pranoi në një mënyrë lineare. Asnjëri nuk skandalizohej në çift: As Qaniu dhe as Fiqireti, që e tregojnë dhunën si një element më shumë në vargun e sherreve për vreshtin e humbur. Për pronën kemi tashmë mirëkuptim që kjo histori u bë çorap në 25 vjet, por alarmi është ambientimi me të keqen, me atë që na rreh, na lëndon, na thyen zemrën e na prish planin e jetës! Fiqireti nga Cërriku as nuk i dha rëndësi dhunës fizike, por vazhdoi, ashtu e dërrmuar shpirtërisht, të fliste pa pushim me mllef e inat, më shumë për vreshtin e humbur. Si nuk foli dot për veten e saj, për vitet e humbura, por vreshtin, vetëm vreshtin! Kjo nevoja për të pasur pasuri, pronë e shtëpi na është fiksuar se është jeta vetë!

Ndërkohë, Fiqireti nuk e ka idenë se ka një vresht më të rëndësishëm në këtë botë, që quhet “vetja jote”. Po ku kemi vete ne?! Ku ta kërkojnë e gjejnë të mjerët veten, jetën e bjerrur nga mbijetesa, nga injoranca, që bie si shi vere në kuzhinë apo dhomën e gjumit. Ku ta gjejnë informacionin gra si Fiqireti në Cërrik, se ka të drejta njeriu, se një grua nuk është makinë larëse, as infermiere 24 orë, as pastruese 24 orë dhe as gomar që bën ç’i thonë. Lajmet e gazetarëve dhe televizioneve të mëdha e të vegjël kanë refren më shumë kastraveca dhe domate me pesticide, teatri me kullë e pa kullë, Europa, negociatat, Edi apo Luli, ndërkohë që mendërisht shqiptarët ushqehen çdo ditë me dhunë, aq shumë sa nuk e dimë më që është e keqe dhe kërkojmë vreshtin, si Fiqireti, që nuk ka faj dhe deri diku është ironikisht me fat që nuk di! Të paktën të marrë vreshtin në fshatin e saj. Kushedi, do ta gëzojë një gjë! Të paktën, të paktit që e duan këtë jetë me pak!