Deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea u shpreh sot se “mosarritja e dakordësisë në Këshillin Europian për hapjen e negociatave është keqardhje, por Shqipëria nuk do të ndalet për të çuar para reformat”.
E ftuar në një studio televizive, Gjebrea tha se “Shqipëria nuk ka asnjë kusht të ri, vetëm vijimin e reformave”.
“Për sa i përket Maqedonisë së Veriut kushti ishte ai i ndryshimit të emrit që të merrnin një “po”, për negociatat nga BE-ja por që është për keqardhje, por Shqipëria nuk ka asnjë kusht të ri, vetëm vijimin e reformave. Vijimi i reformës në drejtësi dhe ka një vullnet nga maxhoranca dhe opozita parlamentare për të vijuar me reformën zgjedhore, e cila do të miratohet deri në fund të 2019. Para dy ditësh janë ndarë grupet e punës, ne i kemi bërë thirrje opozitës jashtë që të bëhet pjesë, por nuk mund të presim më tej”, tha ajo.
Reforma zgjedhore, sipas Gjebreas, “nuk do të bëhet vetëm duke u bazuar në rekomandimet e maxhorancës, por te rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe opozitës brenda parlamentit”. “Unë besoj se opozita jashtë parlamentit do të bëhet bashkëpunuese, do t’i thërrasë vetëdijes dhe do të vijë të bëhet pjesë dhe deri në fund te 2019 të miratohet reforma”, tha ajo.
Ndërkohë në lidhje me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, deputetja e PS-së është shprehur se nga opinionet e liderëve kryesorë të BE-së, Shqipëria i ka bërë detyrat e saj.
“Ne nuk duhet të futemi në zgjedhje pse opozita zgjodhi të dalë vetë, Shqipëria i ka përmbushur detyrat e saj, pasi këtë e thanë krerët kryesorë të BE-së dhe jo ne. Nëse zgjedhjet e parakohshme do të zgjidhnin konfliktin mes Francës dhe Gjermanisë, Kryeministri do zgjidhte zgjedhjet, por në këtë stad nuk zgjidh asgjë. Ndaj ne do të vijojmë me zbatimin e reformave. Opozita jashtë parlamentit e ka bërë zgjedhjen e saj dhe ne do te vijojmë me përgjegjësitë që kemi dhe na kanë dhënë ata që na kanë besuar me votën e tyre. Çdo veprim tjetër minon demokracinë”, tha ajo.