Chelsea ka fituar në udhëtim me rezultat të pastër 3-0 ndeshjen e javës së parë të Premierligës ndaj Huddersfield Town, e zhvilluar të shtunën në “John Smith” stadium.
Skuadra e drejtuar nga trajneri italian, Maurizio Sarri, e ka filluar stinorin e ri në Ligën Premier me fitore të lehtë në udhëtim.
Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi mysafirëve, të cilët dominuan në çdo minutë dhe pjesë të fushës, teksa shënuan edhe dy gola.
Goli i parë i Bluve në këtë sezon erdhi në minutën e 34-të të ndeshjes dhe u shënua nga N’Golo Kante, i cili u asistua nga Williani.
Në minutën e fundit të pjesës së parë ishte mesfushori i ri i transferuar nga Napoli, Jorginho, i cili shënoi nga pika e bardhë për 2-0.
Londinezët vazhduan të dominojnë dhe menaxhojnë lojën edhe në pjesën e dytë, teksa shënuan edhe një gol.
Pas disa rasteve të mira të krijuara, por që nuk rezultuan me gol, në skenë doli Pedro Rodriguez, i cili në minutën e 80-të shënoi për 3-0 dhe vulosi fitoren dhe rezultatin përfundimtar.
Në javën e ardhshme, Blutë i presin në Stamford Bridge rivalët lokal të Arsenalit, ndërsa Huddersfield udhëton te Manchester City.