Prokuroria e Napolit i ka nisur hetimet ndaj Juventusit, pasi një avokat dorëzoi një ankesë për reklamim fals, për shkak se Juventusi pretendon se ka 36 tituj kampion të Serisë A.

Juventusi ka fituar 34 tituj të Serisë A zyrtarisht, por vazhdon t’i llogarisë edhe dy titujt e sezoneve 2004-2005 dhe 2005-2006, të cilët iu morën pas skandalit të kurdisjeve të njohur si “Calciopoli”, ndërsa i dyti iu dha Interit.

Në stadiumin e vet “Allianz Stadium”, në uebsajtin e klubit dhe në autobusin e ekipit, Juventusi pretendon se i ka fituar 36 tituj.

“Corriere del Mezzogiorno” raporton se prokurori i Napolit e ka hapur dosjen për reklamim fals.

Ankesën e ka bërë avokati Angelo Pisani, i cili ka punuar për Diego Maradonën në të kaluarën, dhe bazohet në faktin se Juventusi është kompani publike në treg.