Që futbolli shqiptar është shumë larg Europës dhe futbollit që shohim në televizion, këtë e dimë të gjithë, nuk ka nevojë të grindemi kot. Megjithatë, të shohësh sjellje mesjetare nga komisionet e Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe pse të njëjtat debate ngrihen çdo sezon dhe të njëjtat gafa përsëriten, atëherë këtu ka diçka që nuk shkon dhe si i thonë fjalës, “peshku qelbet nga koka”.

Komisioni i Disiplinës, i famshëm për gafa spektakolare, si ajo e anulimit të një dënimi që e kishte përgjysmuar më parë Apeli (!), tashmë ka dhuruar perlën e radhës.

Për Idriz Bathën e Flamurtarit është përdorur provë televizive dhe mesfushori është dënuar me një ndeshje pezullim për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit!

Së pari, dënimin për lojë të rëndë ndaj kundërshtarit e jep arbitri në fushë dhe nëse ai ka gabuar, dënohet pikërisht ai, sepse kishte parë gjithçka dhe mjafton të shihen pamjet

Gafa numër 1: Meqë profesorët e Disiplinës nuk e dinë, prova televizive hyn në lojë vetëm kur ndodhin gjëra që nuk i ka parë arbitri kryesor apo ndihmësit e tij, me një faull apo goditje që ndodh larg aksionit dhe nuk e vë re askush, etj.

Në Vlorë, në Flamurtari-Teuta, Batha ndërhyn fort për të marrë një top, e tepron me shkelma, por arbitri që po ndiqte gjithçka dha faull kundër Teutës, ndoshta për shkak se lojtari i shtrirë në tokë kishte mbërthyer topin me këmbë. Më pas Batha shtyn një lojtar të Teutës, i cili shtrihet në tokë si i dëmtuar, por edhe aty është qartësisht simulim dhe vetë lojtarët dhe trajneri Shkëmbi nuk pretenduan asgjë, përkundrazi, Shkëmbi u fut në fushë për t’i tërhequr vëmendjen lojtarit të tij që të mos e tepronte.

Gafa numër 2: Prova e famshme televizive që pretendon Disiplina përdoret pa asnjë kriter dhe pa asnjë standard. Ka me dhjetëra faulle, shumë më të rrezikshëm se i Bathës, që arbitrat i kalojnë me një këshillim apo një të verdhë, apo nuk i shohin fare. Ndodhin çdo javë, por Disiplina nuk e ka vënë ujin në zjarr. Pse pikërisht tani, pse pikërisht ndaj Flamurtarit, që nuk dihet pse, bëhet objekt dënimesh brenda e jashtë fushe, në mënyrë sistematike prej vitesh?

Gafa numër 3: Këtu kemi të bëjmë me një rast që është skandaloz edhe për një arsye të thjeshtë – Flamurtari-Teuta u luajt të shtunën, Disiplina mblidhet të mërkurën në mbrëmje dhe dënon Bathën, ndërkohë që të premten luhet Kukësi-Flamurtari! Duke qenë se injoranca dhe paaftësia qenka ulur këmbëkryq në futbollin tonë, dikush t’u thotë zotërinjve të Disiplinës që një trajner bën stërvitje dhe skema gjithë javën dhe nuk mund t’i thuash 48 orë para ndeshjes që i dënohet lojtari. E shumta Batha dënohej të hënën, ose aplikohet rregulli anglez: lojtari përfundon nën hetim, paralajmërohet se mund të dënohet dhe dënimi jepet të hënën pasuese, duke hyrë në fuqi për fundjavën pasardhëse dhe duke i lënë kohë edhe Flamurtarit të apelojë.

Tani Flamurtari nuk ka kohë as të apelojë, sepse nesër luhet ndeshja dhe Apeli ynë zakonisht mbledhjet i bën pas pilafit…(Telesport)