Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes të Ornela Lamajt, u zgjidh problemi për 467 studentët që kanë përfunduar bachelorin për Ekspert Proces-formimi në Universitetin e Durrësit dhe duan të ndjekin një master në mësuesi dhe më pas të punësohen.

Për vitin e dytë rresht, Ornela Lamajt i refuzohej e drejta e stazhit të punës me pretendimin se diploma bachelor dhe ajo master nuk përputheshin me njëra-tjetrën.

Ajo vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, dhe falë ankesë së saj ky problem i cili qëndronte edhe për 467 studentë të tjerë të degës që kishte përfunduar Ornela, u zgjidh përfundimisht.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje rastin e Ornelës, e cila tashmë është e lirë të punojë si mësuese e shkencave sociale.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e Ornelës, e cila, pasi e shkroi problemin e saj te shqiperiaqeduam.al, jo vetëm që tashmë është e lirë të punojë si mësuese e shkencave sociale, një profesionin për të cilin ka sakrifikuar shumë për t’u shkolluar, por i dha zgjidhje edhe 467 studentëve të tjerë si ajo, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

Ornela Lamaj kishte përfunduar bachelor për Ekspert Proces-formimi në Universitetin e Durrësit. Në vitin 2015 ishte diplomuar gjithashtu për Mësuese e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

“Pasi u diplomova, fillimisht duhet të bëja stazhin. Më ndodh që kur u paraqita te Drejtoria Arsimore Tiranë më thanë se ke një mospërputhje diplomash. Duhej që diploma ime e bachelorit të ishte për Shkenca Sociale dhe jo për Ekspert Proces-formimi ose për Inspektore Arsimi. Por ndërkohë unë kisha bërë edhe një sërë provimesh të tjera shtesë që kjo diplomë të më njihej, gjë që nuk u mor parasysh as nga Ministria as nga institucionet e tjera. Për rrjedhojë për gati 4 vjet nuk përfundova dot as praktikën profesionale, jo më të punësohesha. Kanë qenë të pafundme streset e mia pasi më duhej të shkoja në Universitetin e Durrësit të sqaroja diplomën, pastaj duhet të kthehesha në Tiranë të sqaroja problematikën e masterit. Për të mos folur për vitin e fundit që humba dhe nënën”, tha ajo.

Ornela tha se vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes me një letër edhe pse kishte pak shpresë.

Pasi shkruajta në platformën e bashkëqeverisjes erdhi një email ku më njoftonte se tashmë problematika ime ishte zgjidhur dhe jam e lirë të punojë si mësuese e Shkencave Sociale. Më gëzoi pafundësisht jo vetëm për zgjidhjen time, por edhe për studentët e tjerë që nuk janë pak por plot 467 studentë që falë rastit tim morën edhe ata zgjidhje”, tha Ornela.